“BE-ja duhet të jetë e hapur dhe e sinqertë me vendet kandidate dhe t’ua hapë dyert nëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Maqedonisë iu kërkua të ndryshojë flamurin, emrin dhe tani po i kërkohet të pranojë se nuk janë maqedonas. Kjo është e padëgjuar dhe në kundërshtim me vlerat themelore të BE-së”, deklaroi kreu i delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në konferencën ndërkombëtare “Dialog për unitet dhe paqe 2026” në Shkup.

Çavuşoğlu, i cili mori pjesë në panelin e parë “Sfidat për paqen ndërkombëtare, sigurinë dhe sundimin e ligjit”, tha se kushtëzimet shtesë jashtë kapitujve negociues, të imponuara ndaj Maqedonisë dhe popullit maqedonas, janë të padrejta dhe të ashpra.

“Maqedonisë së Veriut iu kërkua të ndryshojë flamurin, emrin dhe tani t’i pranojë se nuk janë maqedonas. Kjo është e padëgjuar dhe në kundërshtim me vlerat themelore të BE-së… Turqia është për bashkëpunim dhe kundër krijimit të ndarjeve të reja në Ballkan. Turqia është e gatshme të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe, siguri dhe bashkëpunim ekonomik në rajon. Besoj se integrimi i rajonit në BE do të përshpejtohet në të ardhmen dhe NATO do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në Evropën Juglindore dhe në Ballkan”, tha Çavuşoğlu.

Sipas tij, Turqia është për reformimin e sistemit ndërkombëtar dhe të OKB-së, ndërsa beson se edhe BE-ja duhet të reformohet vetë.

“Aspiratat euroatlantike të vendeve të Ballkanit duhet të mbështeten. Besoj se potenciali i pashfrytëzuar i Ballkanit duhet të njihet. Gjeografikisht, Ballkani është urë mes Perëndimit dhe Lindjes, ndërsa potenciali ekonomik është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin e Evropës më të gjerë. Kur korridori verior nuk është më alternativë për tregtinë mes Azisë dhe Evropës, besoj se korridori ‘Brezi dhe Rruga’ do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe Ballkani do të jetë pjesë e tij”, deklaroi Çavuşoğlu.

BE-ja, theksoi ai, duhet të jetë e hapur dhe e sinqertë me vendet kandidate dhe t’ua hapë dyert nëse i përmbushin të gjitha kushtet.