Çairi nisi festimet e Nëntorit me programin artistik të shkollave fillore në kuadër të manifestimit “20 Vjet Krenari”
Në Teatrin Shqiptar në Shkup, sonte nisi zyrtarisht manifestimi “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, me një program festiv të përgatitur nga nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Çairit. Përmes këngëve, recitaleve dhe valleve tradicionale, nxënësit sollën në skenë një program artistik kushtuar Ditës së Alfabetit, Ditës së Flamurit dhe vlerave historike e kulturore të Nëntorit.
Të pranishmëve iu drejtua kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, i cili vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe mësimdhënësve, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezave të rinj në frymën e vlerave kombëtare dhe ruajtjes së identitetit kulturor. Në manifestim ishte e pranishme edhe deputetja Merita Koxhaxhiku, ndërsa me fjalë përshëndetëse u drejtua edhe Mjellma Gashi, përgjegjëse në Sektorin e Arsimit të Komunës së Çairit. Në përmbyllje të aktivitetit u ndanë mirënjohje për mësimdhënësit që kontribuuan në realizimin e programit festiv, përfshirë edhe mësimdhënësit e artit figurativ.
Ky aktivitet shënoi hapjen e javës festive “20 Vjet Krenari”, të organizuar nga Komuna e Çairit në nder të 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në sheshin që mban emrin e tij. Festimet do të vazhdojnë deri më 28 Nëntor me koncerte dhe aktivitete kulturore, duke kulmuar me manifestimin qendror “20 Vjet Krenari”, më 28 Nëntor, në orën 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.





