Pagesa të kompensimeve pa pjesëmarrje në mbledhje, furnizim i karburantit me kartela zyrtare për automjete private, prokurime pa procedura të zbatuara në mënyrë përkatëse dhe pagesa më të larta se ato të lejuara me ligj. Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024, ka konstatuar lëshime serioze në menaxhimin financiar dhe administrativ të institucionit.
“Pagesat kryhen në tërësi dhe jo në mënyrë proporcionale, ndërsa në muaj të caktuar paratë janë paguar gjatë muajit vijues para mbajtjes së mbledhjes. Është konstatuar se janë paguar fonde edhe për anëtarë që fare nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, që bie ndesh me nenin 13 të Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve. Pagesat kanë arritur shumën prej 211 mijë denarësh”, thanë nga – Enti Shtetëror i Revizionit.
– Pagesa para mbajtjes së mbledhjes
– Pagesa për anëtarë që nuk kanë marrë pjesë fare në mbledhje
Revizioni konstatoi se faza e dytë e trajnimit për gjeneratën e tetë të kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë është vonuar tre muaj, gjë që ka çuar në pagesa shtesë prej 2 milionë e 113 mijë denarësh për mentorët dhe koordinatorët. Një pjesë e kontratave me mentorët janë lidhur pas përfundimit të periudhës së mentorimit. Revizioni ka konstatuar se kartela zyrtare për karburant janë shfrytëzuar për makina private. Sipas revizionit, nuk ka pasur evidencë se kush i ka përdorur kartelat, për çfarë qëllimi dhe në çfarë shume. Gjithashtu, gjatë vitit 2024 për mallra dhe shpenzime të tjera janë harxhuar 418 mijë denarë pa procedurë për prokurim publik. Raporti i referohet periudhës kur drejtoreshë e Akademisë ishte Natasha Gaber–Damjanovska. Ajo gjatë ditës theksoi se mangësitë e konstatuara nuk janë rezultat i shmangies së qëllimshme të dispozitave ligjore, por rrjedhore e rrethanave objektive dhe vëllimit të madh të punës.