Këshilli Evropian ka miratuar unanimisht tekstin e konkluzioneve të samitit për Ukrainën, duke shënuar herën e parë në më shumë se 18 muaj që të 27 shtetet anëtare bien dakord për një dokument të përbashkët mbi këtë çështje.
Liderët europianë kanë miratuar gjithashtu ndryshimin e afatit për rinovimin e sanksioneve sektoriale ndaj Rusisë, të cilat tashmë do të rinovohen një herë në vit dhe jo çdo gjashtë muaj si më parë.
Në dokumentin përfundimtar theksohet se, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë, nuk duhet të normalizohet pjesëmarrja e Rusisë në ngjarje sportive dhe kulturore ndërkombëtare.
“Këshilli Evropian thekson se, derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, pjesëmarrja e Rusisë në ngjarjet ndërkombëtare sportive dhe kulturore nuk duhet të normalizohet.”
Ky formulim u shtua pas diskutimeve mes përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe u mbështet nga të gjitha shtetet, përfshirë Italinë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi pas sulmit më të madh ukrainas ndaj Moskës në dy vitet e fundit, ku sipas raportimeve u përdorën rreth 180 dronë.
“Nëse Ukraina digjet, edhe Moska juaj do të digjet”, deklaroi ai.
Sulmet shkaktuan zjarr për herë të dytë brenda tre ditësh në rafinerinë kryesore të Moskës, ndërsa u raportuan dëme edhe në ndërtesa banimi dhe qendra tregtare. Autoritetet ruse njoftuan për 17 të plagosur, mes tyre dy fëmijë.
Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, deklaroi se këto sulme nuk ndihmojnë në organizimin e një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Zelenskyt, takim që Ukraina e ka kërkuar vazhdimisht për t’i dhënë fund luftës.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se Rusia do të vazhdojë “sulmet në shkallë të gjerë” ndaj objektivave që ndikojnë drejtpërdrejt në aftësitë luftarake të Ukrainës.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjatë sulmit të fundit u lëshuan 555 dronë drejt territorit rus, duke e bërë atë një nga operacionet më të mëdha që nga fillimi i luftës. Për disa orë u pezullua edhe trafiku në katër aeroportet ndërkombëtare të Moskës.
Zelensky deklaroi se sulmet ndaj rafinerive dhe infrastrukturës energjetike ruse synojnë t’i tregojnë qytetarëve rusë se lufta po zhvillohet me urdhër të një njeriu të vetëm, Putinit, ndërsa koston e saj e paguajnë qytetarët e zakonshëm.
Ndërkohë, në samitin e G7, Ukraina siguroi mbështetjen e vazhdueshme ushtarake dhe politike nga partnerët perëndimorë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, u shpreh se Ukraina po ndryshon ekuilibrat në fushën e betejës dhe po i shkakton humbje të mëdha Rusisë, por theksoi se kjo mund të vazhdojë vetëm nëse aleatët rrisin mbështetjen afatgjatë.
Edhe Ukraina vazhdon të përballet me sulme ruse. Gjatë natës së fundit, sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia lëshoi shtatë raketa dhe 239 dronë ndaj territorit ukrainas. Autoritetet lokale raportuan tre viktima dhe të paktën 17 të plagosur në rajone të ndryshme të vendit.