Fati i aksit Trebenishtë – Qafë Thanë do të dihet në korrik, në mbledhjen vjetore të UNESCO-s në Korenë e Jugut, ku do të shqyrtohet i gjithë raporti për Rajonin e Ohrit. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski për TV Alsat deklaroi se tashmë nuk shtrohet më pyetja nëse do të ndërtohet autostrada drejt Qafë Thanës dhe Shqipërisë, por nëpër cilën trase do të kalojë. Kjo vjen pas takimit të fundjavës në Ohër, ku ministrat, së bashku me kryetarët e komunave të Strugës dhe Ohrit, zhvilluan takim me dyer të mbyllura me 15 ambasadorë të vendeve anëtare të Komitetit të Përhershëm të UNESCO-s. Përveç vizitës në kampin e Bechtel & Enka, që po ndërtojnë autostradat, ata kanë inspektuar edhe trasenë Trebenishtë – Qafë Thanë.
“Përshtypjet e para janë të mira, do të shohim se si do të jetë raporti në korrik. Ajo që do ta përcaktojmë së bashku me UNESCO-n është nëse do të jetë kjo trase apo ndonjë trase tjetër që do ta zgjedhim. Ata gjithmonë preferojnë që të shfrytëzohen trasetë tashmë të zhvilluara, në vend që të hapen të reja, në mënyrë që të mos dëmtohet mjedisi jetësor dhe trashëgimia natyrore. Prandaj, nëse do të vazhdojmë me trasenë e planifikuar nga Qeveria e kaluar apo me trase pjesërisht të zhvilluar, të cilën më pas do ta zhvillojmë më tej, është diçka që do ta vendosim bashkë me ta”, deklaroi Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.
Pas vendimit që pritet në korrik, Nikolloski thotë se Qeveria do të mund të fillojë punën për këtë projekt. Ai nuk është i mendimit që projekti të realizohet sipas planit ekzistues.
“Nëse më pyetni mua, mendoj se ajo që është nënshkruar si marrëveshje nga Qeveria e kaluar nuk i përgjigjet realitetit, sepse Maqedonia nuk ka 200 aeroporte, por vetëm 2. Nuk ka lidhje me Aeroportin e Ohrit dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me qytetin e Strugës. Nëse nesër do të ndërtojmë lidhje apo nyje rrugore, kjo është çështje tjetër, por ato nuk janë të përfshira në projekt dhe as në buxhet. Të lëmë Strugën të palidhur dhe Aeroportin e Ohrit, i cili i shërben të gjithë rajonit, të mos jetë i lidhur, nuk mendoj se është e duhur”, theksoi Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.
Sa i përket lidhjes hekurudhore me Shqipërinë, Nikolloski thotë se UNESCO nuk e konteston më as këtë çështje. Aktualisht po punohet në një projekt për modernizimin dhe rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Shkupi deri në Kërçovë, pas së cilës do të vijojë faza e dytë, ndërtimi i hekurudhës nga Kërçova, përmes Ohrit dhe Strugës, deri te kufiri me Shqipërinë.