Nga Arian Galdini

Vijnë çaste të tilla, kur një vend nuk duhet të pyesë vetëm kush ka të drejtë në një konflikt.

Duhet të pyesë kush po përpiqet ta marrë konfliktin në pronësi.

Në Zvërnec nuk po luftohet më vetëm për tokën. Po luftohet për pronësi.

Kush e ka territorin?

Kush e ka protestën?

Kush po përgatitet të marrë pronësinë politike mbi Shqipërinë e nesërme?

Këto janë tri pyetjet që askush nuk ka të drejtë t’i shmangë.

Sepse një vend nuk rrezikohet vetëm kur i merret toka.

Rrezikohet edhe kur zemërimi për tokën merret në pronësi.

Rrezikohet kur plaga reale kthehet në skenë, kur sheshi kthehet në pronë të dikujt, kur mikrofoni bëhet gardh tjetër, kur qytetari që del për të drejtën e vetë kthehet në lëndë të parë për pushtetin e radhës.

Kjo duhet thënë qartë që në fillim.

Plaga e Zvërnecit është reale.

Mungesa e dosjes është reale.

Pyetjet mbi pronën janë reale.

Shqetësimi për mjedisin është real.

Dhuna private ndaj qytetarit, është plagë në autoritetin e Republikës.

E drejta për të protestuar është e shenjtë.

Por asnjë plagë reale nuk e bën të pafajshme çdo dorë që ngjitet mbi të.

Asnjë kauzë e drejtë nuk i jep askujt të drejtë ta marrë sheshin në pronësi.

Asnjë protestë nuk bëhet e paprekshme vetëm pse flet në emër të qytetarit.

Edhe protesta mund të merret peng.

Edhe zemërimi mund të privatizohet.

Edhe mikrofoni mund të bëhet gardh tjetër.

Këtu fillon ndarja.

Nuk jam kundër qytetarit që del në shesh. Jam kundër atyre që duan ta marrin në pronësi sheshin, siç të tjerë duan ta marrin në pronësi tokën.

Nuk pranoj që protesta të privatizohet.

Nuk pranoj që investimi të përdoret për privatizimin politik të Shqipërisë.

Nuk pranoj që zhvillimi të kërkojë qytetar të heshtur, dosje të vonuar dhe shtet noter të projektit.

Nuk pranoj që emri i Perëndimit, i Amerikës, i kapitalit të huaj apo i partnerëve strategjikë të përdoret për të heshtur dosjen shqiptare.

Në Zvërnec, një palë flet për pronën.

Një palë flet për protestën.

Një palë tjetër po sheh të nesërmen politike.

Dhe qytetari rrezikon të mbetet sërish ai që përdoret nga të gjithë, por pyetet nga askush.

Prandaj pyetja e parë është toka.

Kush e ka? Si u bë private? Nga kush kaloi?

Me cilat vendime, leje, hartë, vlerësim mjedisor, përfitues fundorë dhe me çfarë raporti midis pronës private, plazhit, kanaleve, dunave, lagunës, rrugëve dhe aksesit publik?

“Private” nuk është përgjigje.

Është pyetja e parë, si u bë private?

Në një Republikë serioze, prona private është themel lirie.

Pikërisht për këtë arsye, historia e saj duhet të jetë e pastër.

Nëse prona është e drejtë, dosja e mbron. Nëse dosja e dëmton, problemi nuk është qytetari që pyet.

Prona private nuk është errësirë private.

Investimi strategjik nuk është leje për mjegull strategjike.

Emri ndërkombëtar nuk është zëvendësim i dokumentit shqiptar.

Kjo është dosja e parë, dosja e tokës.

Ajo nuk është e njëjtë me dosjen e protestës.

Dosja e pushtetit është detyrim shtetëror.

Dosja e projektit është detyrim publik.

Dosja e forcës është detyrim ligjor.

Dosja e protestës bëhet detyrim politik në çastin kur protesta kërkon të flasë jo vetëm për qytetarin, por në emër të qytetarit.

Qytetari që proteston nuk është i barabartë me qeverinë që administron territorin, lejet, ligjin, policinë, zonën e mbrojtur dhe marrëdhënien me investitorin.

Qeveria ka detyrim shtetëror të hapë dokumentin.

Investitori që hyn në territor strategjik ka detyrim publik të pranojë transparencën.

YPolicia dhe siguria private kanë detyrim ligjor të japin llogari për forcën.

Protesta është e drejtë qytetare.

Por kur protesta prodhon përfaqësues, kërkesa politike, negociatorë, thirrje për qeveri, mandat të ri, fytyra që dalin si pronarë të sheshit dhe pretendim për të folur në emër të qytetarit, atëherë ajo hyn në zonën e përgjegjësisë publike.

Atëherë lind dosja e protestës.

Dosja e protestës nuk kërkon të kriminalizojë qytetarin që del në shesh.

Kërkon të dijë kush e thërret, kush e financon, kush e amplifikon, kush ia shkruan kërkesat, kush e zgjedh përfaqësimin dhe kush përfiton nga rritja apo dështimi i saj.

Këto nuk janë pyetje kundër protestës.

Janë pyetje për ta mbrojtur protestën nga pronarët e saj të fshehtë.

Protesta që kërkon dosjen e pushtetit nuk duhet të trembet nga dosja e vetë.

E drejta e protestës është e shenjtë.

Pronësia e fshehtë mbi protestën është e rrezikshme.

Kur një protestë kërkon vetëm dosjen, ajo është kauzë qytetare.

Kur një protestë fillon të flasë për gjithçka, të shpallë përfaqësues, të kërkojë qeveri, të prodhojë fytyra të reja, të hapë rrugë për aktorë të vjetër me rroba të reja, të bëjë nga plaga një shkallë politike, atëherë ajo nuk është më vetëm zë.

Është objekt pushteti.

Dhe pushteti, në Republikë, nuk merret me zhurmë.

Kërkon mandat.

Sheshi mund të ngrejë zërin e qytetarit, nuk mund të shpikë mandat në emër të qytetarit.

Kjo është vija e hollë ku shumë kauza të drejta humbin pastërtinë e tyre.

Fillojnë si plagë.

Vazhdojnë si mikrofon.

Mbarojnë si pronë politike e atij që ishte më i shpejtë të ngjitej mbi dhimbjen.

Në një shoqëri ku frika ka qenë për vite metodë qeverisjeje, guximi i papritur masiv nuk duhet përbuzur, por as nuk duhet pranuar pa pyetje.

Kur kostoja e frikës bie menjëherë e befasishr, një Republikë serioze pyet jo vetëm çfarë e zgjoi qytetarin, por edhe kush ia bëri të mundur këtë zgjim, kush e drejton dhe kush kërkon ta trashëgojë.

Ndoshta plagën e ka zgjuar ndërgjegjja.

Ndoshta.

Por ndoshta dikush e kuptoi se kjo plagë mund të kthehej në skenë, në mandat, në subjekt, në parti, në pazar të ri.

Një Republikë serioze i pyet të dyja.

Një vend mund të vidhet dy herë, herën e parë kur i merret toka, herën e dytë kur i merret protesta kundër marrjes së tokës.

Kur toka merret me kompani, leje, vendime, kontrata, gardhe dhe fjalime për zhvillim, qytetari humb vendin.

Kur protesta merret me mikrofonë, përfaqësues të pazgjedhur, kamera, trende, parti, media, figura publike dhe pronarë të rinj të zemërimit, qytetari humb zërin.

Një herë i merret toka.

Një herë i merret zëri.

Pastaj dikush kërkon t’i marrë edhe të nesërmen.

Kjo është pronësia e tretë.

Pronësia mbi Shqipërinë që do të dalë nga ky konflikt.

Kush po përgatitet të lindë prej këtij zemërimi si fytyrë, strukturë, mandat apo pronar i ri i së nesërmes politike?

Nuk e kundërshtoj lindjen e së resë.

Një vend ka nevojë për të re.

Ka nevojë për guxim.

Ka nevojë për qytetarë që nuk presin më leje nga të vjetrit.

Ka nevojë për zëra që nuk kanë frikë.

Por e reja nuk lind e pastër vetëm pse del në shesh.

Duhet të tregojë burimin, financimin, lidhjet, interesat, mandatet, rrugën, kufirin moral dhe raportin e saj me të vërtetën.

Sepse në Shqipëri shumë gjëra kanë lindur duke thënë “ne jemi kundër të vjetrës”, pastaj janë bërë forma të reja të së njëjtës errësirë.

Kjo është arsyeja pse nuk më mjafton të shoh turmën.

Dua të di kush e mban.

Nuk më mjafton të dëgjoj megafonin.

Dua të di kush e financon zërin.

Nuk më mjafton të shoh fytyrën e re.

Dua të di kush e ka vendosur në dritë.

Nuk më tremb sheshi.

Më tremb pronari i padukshëm i sheshit.

Kjo nuk e pastron Ramën.

Përkundrazi.

Rama është burimi kryesor i kësaj mjegulle, sepse ka ndërtuar për vite një shtet ku projekti hyn më shpejt se qytetari, ku dosja vjen pas vizionit, ku territori trajtohet si skenë, ku investitori bëhet fotografi ndërkombëtare, ku fjala “strategjik” përdoret si emër i bukur për përparësi të errët, ku karrigia e tij shfaqet si garanci e projekteve që duhej t’i mbronte ligji.

Rama nuk e shpiku vetëm projektin si vizion, shpiku edhe mënyrën si projekti kërkon besim përpara dosjes.

Rama nuk administron vetëm projektin, administron errësirën që e bën projektin të kërkojë besim para prove.

Kur një kryeministër e lidh fatin e një projekti privat me karrigen e vet, ai pranon pa dashur se projekti nuk mbahet vetëm nga institucionet.

Mbahet nga ai.

Kjo është sëmundje Republike.

Rama nuk po kërcënon se do ikë.

Rama po tregon çmimin e qëndrimit të tij.

Ai nuk sheh vetëm tokë. Sheh kartë hyrjeje.

Nuk sheh vetëm projekt.

Sheh fotografi ndërkombëtare.

Nuk sheh vetëm investitor.

Sheh mburojë politike.

Nuk sheh vetëm krizë.

Sheh mundësi për pazar.

Nuk sheh vetëm protestë.

Sheh mjet për të thënë se pa të gjithçka kthehet në kaos.

Kjo është metoda e tij.

Edhe politika e vjetër nuk mund të hyjë në këtë shesh si dëshmitare e pafajshme.

Ajo nuk e shpiku sot plagën e pronës, bregdetin e klientelizuar, shtetin që i shërben të fortit dhe qytetarin që vjen gjithmonë i fundit.

Një pjesë e saj mund të përfitojë nga zjarri kundër Ramës pa dashur të hapë deri në rrënjë historinë që e bëri këtë zjarr të mundur.

Prandaj zemërimi kundër Ramës nuk duhet të trashëgohet automatikisht nga ata që kanë qenë bashkëautorë të Shqipërisë së vjetër.

Por papastërtia e protestës nuk e pastron projektin.

Dhe papastërtia e projektit nuk e shenjtëron protestën.

Kjo është formula që duhet të mbajë Republika.

Rama nuk mund të thotë, protesta është e kapur, prandaj dosja ime nuk hapet.

Protesta nuk mund të thotë, projekti është i dyshimtë, prandaj askush nuk pyet kush e zotëron zërin tonë.

Investitori nuk mund të thotë, prona është private, prandaj interesi publik hesht.

Opozita nuk mund të thotë, zemërimi është kundër Ramës, prandaj më takon mua.

Media nuk mund të thotë, po e pasqyroj protestën, prandaj nuk ka rëndësi interesi im.

As qeveria, as investitori, as protesta, as opozita, as media dhe as fytyrat e reja nuk mund të kërkojnë besim pa dosje.

Republika nuk është pronë.

Nuk është pronë e qeverisë.

Nuk është pronë e investitorit.

Nuk është pronë e opozitës.

Nuk është pronë e protestës.

Nuk është pronë e ekranit.

Nuk është pronë e atyre që duan të lindin politikisht mbi plagën e saj.

Republika është e qytetarëve vetëm kur askush nuk e merr dot në pronësi pa dhënë llogari.

Prandaj sot duhen tri dosje.

Dosja e tokës.

Dosja e protestës.

Dosja e së nesërmes politike.

Dosja e tokës duhet të tregojë pronën, lejet, përfituesit fundorë, vlerësimin mjedisor, financimin, kontratat, statusin e zonës, kufijtë mes publikes dhe privates, dhe çdo vendim që e bëri projektin të mundur.

Dosja e protestës duhet të tregojë kush e thërret, kush e mban, kush e financon, kush e amplifikon, kush e përfaqëson, kush i shkruan kërkesat, kush flet në emër të kujt dhe kush përfiton nga rruga që merr zemërimi.

Dosja e së nesërmes politike duhet të tregojë kush po përgatitet të dalë nga kjo plagë si fytyrë, parti, strukturë, negociator, zë i ri, pronar i ri i zemërimit, apo vazhdim i vjetër me emër tjetër.

Këto tri dosje nuk janë kundër qytetarit.

Janë mbrojtja e tij.

Qytetari nuk duhet të kalojë nga gardhi i projektit te megafoni i pronarëve të rinj të sheshit.

Nuk duhet të kalojë nga projekti i errët te opozita e errët.

Nuk duhet të largohet nga një pronar i padukshëm i tokës për t’u dorëzuar te një pronar i padukshëm i zemërimit.

Nëse protesta kërkon dritë, të qëndrojë në dritë.

Nëse qeveria kërkon besim, të hapë dokumentin.

Nëse investitori kërkon siguri, të pranojë transparencën.

Nëse opozita kërkon mandat, të tregojë burimin.

Nëse media kërkon të jetë ndërgjegje, të tregojë interesin.

Nëse fytyrat e reja kërkojnë t’i përfaqësojnë qytetarët, të tregojnë kush i ngriti, kush i mban dhe kujt do t’i japin llogari.

Kushdo që nuk duron dritën, nuk ka të drejtë të flasë në emër të Shqipërisë.

Toka, protesta dhe pushteti duhet të kalojnë të njëjtin provim, dritën.

Jo dritë vetëm mbi qeverinë dhe errësirë mbi protestën.

Jo dritë vetëm mbi protestën dhe errësirë mbi projektin.

Jo dritë vetëm mbi investitorin dhe errësirë mbi partitë.

Jo dritë vetëm mbi Ramën dhe errësirë mbi ata që duan të trashëgojnë zemërimin kundër tij.

E njëjta dritë për të gjithë.

Ky është standardi republikan.

Është standardi që mbron pronën nga turma dhe shtetin nga i forti, që e di se vendi nuk është material për eksperimentin e radhës dhe se Perëndimi nuk është emër i madh në një kontratë, por dokument, garë, transparencë, kontroll dhe përgjegjësi, edhe sepse nuk pranon që toka, sheshi, bregu, mali, protesta dhe e nesërmja e Shqipërisë të bëhen pronë e padukshme e askujt.

Nuk dua një Shqipëri që kalon nga pronarët e fshehtë të tokës te pronarët e fshehtë të protestës.

Nuk dua që gardhi të zëvendësohet nga megafoni, projekti i errët nga opozita e errët, pushteti i vjetër nga pronari i ri i zemërimit.

Dua Republikë.

Dhe Republika fillon aty ku toka, protesta dhe pushteti durojnë të njëjtën dritë, pa pronarë të fshehtë mbi asnjërën prej tyre.

Arian Galdini

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume