Numri i viktimave nga incidenti i së enjtes në Detin Kaspik, ku 17 ushtarakë kazakë u përfshinë nga deti gjatë një stërvitjeje ushtarake, është rritur në 14, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes, transmeton Anadolu.
Ministria njoftoi në Telegram se ka përfunduar operacionet e kërkim-shpëtimit pas incidentit dhe se sot në mëngjes ka nxjerrë trupat e dy ushtarakëve të tjerë.
“Udhëheqja dhe personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kazakistanit u shprehin ngushëllimet e tyre më të thella dhe më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të ushtarakëve të ndjerë”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
“Familjet e të rënëve do të marrin gjithë mbështetjen e nevojshme gjithëpërfshirëse, financiare dhe psikologjike”, shtoi ajo.
Ministria njoftoi të enjten se 17 ushtarakë u përfshinë nga deti në rajonin Mangystau, në jugperëndim të vendit, teksa po kryenin një mision stërvitor luftarak, duke konfirmuar fillimisht vdekjen e nëntë ushtarakëve.
Ajo bëri të ditur se incidenti ndodhi “për shkak të përkeqësimit të papritur të kushteve atmosferike dhe forcimit të erërave” ndërsa në vendngjarje u dërgua urgjentisht një komision i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Dauren Kosanov, për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
Më vonë gjatë asaj dite, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev nënshkroi një urdhër që e shpall të premten ditë zie kombëtare.