Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka dalë me reagim, pas vendimit për të shfuqizuar vendimin e vitit 2007 të Komunës së Tetovës për riemërtimin e rrugëve dhe shesheve.

Nga Gjykata thonë se vendimi është shfuqizuar pasi Komuna e Tetovës nuk dorëzoi dokumentacionet dhe pëlqimin e Qeverisë për riemërtimin e rrugëve.

“Më 17.06.2026, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi Vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, Nr. 07-766/4 i datës 24.04.2007. Gjatë procedurës, për shkak të mosparaqitjes së plotë të dokumentacionit, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës të paraqiste të gjithë dokumentacionin që i parapriu miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, Komuna nuk paraqiti as pëlqimin dhe as kërkesën për pëlqim që iu dërgua Qeverisë, por Listën e emrave të rrugëve dhe shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës të miratuar më 30.11.2006”.

“Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në tre raste kërkoi nga Qeveria të paraqiste pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u paraqit. Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur, u përcaktua se Komuna e Tetovës nuk ka paraqitur kërkesë në Qeveri për lëshimin e pëlqimit të nevojshëm, as një akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqimin për Listë, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore, prandaj Gjykata përcaktoi se ky kërkesë ligjore nuk është përmbushur”.

“Sipas nenit 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore, një vendim për ndryshimin e emrave kërkon pëlqimin paraprak nga Qeveria. Duke miratuar Vendimin pa pëlqimin e nevojshëm nga Qeveria, Komuna e Tetovës shkeli parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8 paragrafi 1 rreshti 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume