​Klubi Futbollistik Shkëndija ka shënuar një tjetër arritje të jashtëzakonshme, kësaj radhe jashtë fushave të blerta, duke realizuar një projekt që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e klubit informon Tetovasot. Është publikuar zyrtarisht albumi ekskluziv që mbledh të gjithë strukturën dhe gjeneratat e klubit në një vend të vetëm.
​Nën logon “Krenarë për ngjyrat”, ky album përfaqëson një kopertinë të madhe të historisë moderne të klubit, ku janë të përfshira të gjitha gjeneratat e shkollës së futbollit.

​Një fotografi që vlen sa një mijë fjalë

​E veçanta e madhe e këtij projekti, që e bën atë unik në llojin e vet, është fotografia e përbashkët e realizuar mes talenteve të reja të akademisë dhe skuadrës së parë të Shkëndijës. Fëmijët që ëndërrojnë një ditë të prekin majat e futbollit kanë pasur mundësinë të rreshtohen krah për krah me yjet e klubit, duke krijuar një urë lidhëse të fuqishme mes të tashmes dhe të ardhmes kuqezi.

​Arkitektët e projektit gjigant

​Realizimi i këtij mozaiku historik ka kërkuar një punë të jashtëzakonshme organizative në prapaskenë. Meritë kryesore për koordinimin dhe jetësimin e këtij albumi u jepet Faton Zylbeharit dhe drejtorit të shkollës së futbollit Erhan Selimi dhe Husein Kadriu trajner i moshave të reja, të cilët u kujdesën për çdo detaj që kjo vepër të mbetet një kujtim i përjetshëm për çdo anëtar të familjes kuqezi.Këtu përfshihen edhe prindërit që poashtu ishin një mbështetje e madhe.
​Ky album nuk është thjesht një përmbledhje fotografish, por një dëshmi e qartë e rritjes, unitetit dhe vizionit afatgjatë të KF Shkëndija , një klub që vazhdon të nderojë traditën e nisur në Tetovë që nga viti 1979.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume