Zyrtarët e FIFA-s shkojnë në “Camp Nou” për të inspektuar, aty synohet të luhet finalja e Botërorit 2030
Pas spektaklit të suksesshëm të këtij viti në Amerikën e Veriut, Kupa e Botës në vitin 2030 do të zhvendoset në Gadishullin Iberik dhe në Afrikën Veriore, me Spanjën, Portugalinë dhe Marokun që do të jenë tri vendet organizatore.
Megjithatë, stadiumi ku do të zhvillohet finalja e këtij Botërori ende nuk është përcaktuar, ndërsa tre stadiume kanë dalë si kandidatët kryesorë për ta pritur ndeshjen më të madhe të futbollit botëror.
Bëhet fjalë për “Spotify Camp Nou” të Barcelonës, “Santiago Bernabeun” e Real Madridit dhe stadiumin “Hassan II” në Casablanca të Marokut, i cili aktualisht është ende në ndërtim.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, zyrtarë të FIFA-s kanë mbërritur sot në “Camp Nou”, në atë që besohet të jetë një vizitë inspektuese, teksa institucioni më i lartë i futbollit botëror po shqyrton mundësitë për përcaktimin e stadiumit që do ta presë finalen e vitit 2030.
Zyrtarët e FIFA-s i kanë inspektuar objektet e stadiumit së bashku me përfaqësues të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) dhe drejtues të Barcelonës, përfshirë presidentin Joan Laporta.
Gjatë inspektimeve të tilla, FIFA nuk vlerëson vetëm gjendjen e stadiumit dhe të fushës, por edhe infrastrukturën përcjellëse.
Në këtë kuadër përfshihen objektet përreth stadiumit, hotelet, lidhjet e transportit, spitalet dhe infrastruktura e komunikimit.
Këto vizita konsiderohen shumë të rëndësishme për FIFA-n, e cila duhet të përcaktojë se cili stadium i plotëson më së miri kushtet për të organizuar një ndeshje të përmasave të tilla.
Megjithatë, punimet në “Camp Nou” janë ende larg përfundimit dhe pritet të vazhdojnë gjatë gjithë vitit, si dhe përgjatë vitit 2027.
Këto ndërhyrje janë pjesë e projektit madhor “Espai Barça”, përmes të cilit synohet që stadiumi i Barcelonës të shndërrohet në një prej impianteve më moderne dhe me kapacitetin më të madh në botë, jo vetëm në futboll, por edhe në sport në përgjithësi.
Në Spanjë tashmë ka ndarje të mëdha rreth stadiumit që duhet ta presë finalen e Botërorit 2030, mes “Camp Nout” dhe “Santiago Bernabeut”.
Vendimi përfundimtar, megjithatë, do t’i takojë FIFA-s.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të idesë që finalja të zhvillohet në “Camp Nou”.
Në vitin 2030, projekti “Espai Barça” pritet të jetë përfunduar dhe stadiumi do të mund të funksionojë me kapacitetin e tij të plotë.