Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se buxheti për kulturën këtë vit është rritur me 34 për qind krahasuar me vitin 2023, duke theksuar se prioritet i qeverisë mbetet realizimi i projekteve kapitale në këtë sektor informon Tetovasot.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se fondet janë orientuar kryesisht drejt përfundimit dhe nisjes së objekteve të rëndësishme kulturore, duke përmendur Bibliotekën në Tetovë, Sallën Universale në Shkup, Teatrin Turk dhe Sallën e Xhazit, si pjesë e projekteve që janë në fazë realizimi ose pritet të nisin së shpejti.

Ai theksoi se pret që mjetet e planifikuara të jenë të mjaftueshme për të intensifikuar punimet ndërtimore gjatë këtij viti, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e ndarjes së fondeve shtesë në fund të vitit, nëse paraqitet nevoja.
“Është e rëndësishme që paratë të shpenzohen për investime kapitale, sepse ato krijojnë vlerë të shtuar dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, e jo të shpenzohen për transfere të tjera apo, siç ka ndodhur në të kaluarën, në vend që të ndërtohet, të vidhet”, deklaroi Mickoski.TS