Kryeministri Hristijan Mickoski mori pjesë në inaugurimin e kopshtit të ri për fëmijë “Kokiche” në Gazi Babë, duke theksuar se investimet në institucionet për edukimin e hershëm janë ndër më të rëndësishmet për zhvillimin e shoqërisë raporton Tetovasot.

Ai u shpreh se çdo objekt i ri i këtij lloji përmirëson cilësinë e jetës së fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke nënvizuar se vitet e para të jetës janë vendimtare për formimin e personalitetit dhe vlerave të një individi.

“Vlerat që fitohen gjatë gjashtë apo shtatë viteve të para të jetës e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës. U uroj fëmijëve shumë miqësi të reja dhe shumë njohuri që do t’u shërbejnë në të ardhmen”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se hapja e kopshtit do t’u lehtësojë jetën edhe prindërve, të cilët do të kenë sigurinë se fëmijët e tyre janë në duar të sigurta, ndërsa ata mund t’u përkushtohen angazhimeve të tyre profesionale.

Në fjalimin e tij, kryeministri falënderoi kryetarin e Komunës së Gazi Babës, deputetët, këshilltarët komunalë, administratën lokale, si dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për mbështetjen në realizimin e projektit.

Mickoski theksoi se qeveria po investon në autostrada, bulevarde, kopshte, shkolla dhe terrene sportive, duke i cilësuar këto si investime kapitale që, sipas tij, për dekada me radhë kanë munguar.

Në fund, ai falënderoi edukatoret dhe drejtuesit e kopshtit, duke u dëshiruar suksese në kujdesin dhe edukimin e brezave më të rinj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume