Zlatan Ibrahimovic ka kritikuar ashpër trajnerin Ronald Koeman pas eliminimit të Holandës nga Kupa e Botës, duke e fajësuar plotësisht për humbjen dramatike ndaj Marokut pas penalltive.
Maroku siguroi kualifikimin në fazën e 1/16 së finales pasi triumfoi nga pika e bardhë, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë.
Holanda kaloi në epërsi në minutën e 72-të me Cody Gakpo, por Issa Diop barazoi në minutën e 91-të pas një gabimi në mbrojtjen holandeze, duke e çuar ndeshjen në vazhdime. Më pas, marokenët dominuan lojën, ndërsa Bart Verbruggen mbajti gjallë shpresat e Holandës me disa pritje vendimtare. Në fund, Ismael Saibari realizoi penalltinë vendimtare që vulosi eliminimin e “Tulipanëve”.
Ibrahimovic: Koeman e humbi identitetin e Holandës
Pas ndeshjes, Ibrahimovic nuk i kurseu kritikat ndaj Koemanit.
“Ky eliminim është tërësisht faji i Koemanit, sepse unë nuk e njoha këtë Holandë. Ai humbi me një identitet që nuk është identiteti holandez dhe kjo më zemëron,” deklaroi suedezi për FOX Sports.
“Gjithmonë jam mësuar që Holanda të sulmojë, të sulmojë dhe të sulmojë. Kjo nuk ishte Holanda që njoh. Sot Koeman u soll si një trajner italian që luan për të mos humbur, ndërsa Holanda gjithmonë ka luajtur për të fituar. Edhe nëse humbet, humb me stilin tënd dhe jo duke ndryshuar identitetin.”
Ai shtoi se skuadra nuk dukej aspak rehat në fushë.
“Nuk kishte më posedim, nuk kishte futboll sulmues. Gjithçka dukej keq dhe kjo ishte plotësisht përgjegjësi e Koemanit. Për mua, performanca ishte praktikisht zero.”
Henry: Formacioni tregoi frikë
Edhe legjenda franceze Thierry Henry u habit nga zgjedhjet taktike të Koemanit, i cili vendosi të luante me skemën 5-4-1.
“Kur heq një mesfushor dhe fut një mbrojtës, në thelb po tregon se ke frikë nga Maroku. Nëse fiton, ke të drejtë. Nëse humbet, je gabim,” tha Henry.
“U habita shumë, sepse Holanda zakonisht nuk luan në këtë mënyrë. Koeman kishte një ide krejt tjetër.”
Koeman mbron zgjedhjet e tij
Pavarësisht kritikave, Ronald Koeman mbrojti vendimin për të luajtur me pesë mbrojtës.
“Me këtë qasje mbrojtëse pësuam shumë më pak raste sesa në fazën e grupeve. Kjo ishte pozitive, edhe pse ishim më pak ofensivë,” u shpreh ai.
“Mund të mendoni çfarë të doni për taktikat, por përballë një kundërshtari më të fortë se Suedia dhe Tunizia, ne lejuam shumë më pak raste. Nëse do ta luaja sërish këtë ndeshje, do të zgjidhja të njëjtën taktikë.”
Koeman shtoi se, nëse Maroku nuk do të kishte barazuar në minutat shtesë, vendimi i tij do të ishte vlerësuar ndryshe.
“Nëse nuk do ta kishim pësuar atë gol të vonë, sot do të merrja komplimente. Tani do të kritikohem për pesë mbrojtësit, por unë ende besoj se ishte zgjedhja e duhur.”