Lideri i LSDM-së, Venco Filipçe, hapi sot konferencën ndërkombëtare “Iniciativa e Shkupit”, e organizuar nga LSDM dhe Shkolla e Lartë Politike e Korçulës.
Në fjalimin e tij, Filipçe tha se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment të rëndësishëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se forcat progresive duhet të bashkëpunojnë më shumë për të përballuar sfidat në rajon.
Ai theksoi se nacionalizmi, populizmi, krimi i organizuar dhe ekstremizmi po paraqesin pengesa për integrimin evropian dhe për zhvillimin demokratik të vendeve të rajonit.
Sipas Filipçes, forcat që kundërshtojnë integrimin evropian janë gjithnjë e më të organizuara, ndërsa bashkëpunimi mes partive progresive është i nevojshëm për të mbrojtur vlerat evropiane dhe demokratike.
Ai kritikoi edhe ata që publikisht flasin kundër Bashkimit Evropian, por ndërkohë ndërtojnë jetën dhe bizneset e tyre në vendet anëtare të BE-së.