Istigballsport U15 po vazhdon paraqitjet mbresëlënëse në Vllaznimi Cup Durrës 2026, duke regjistruar edhe fitoren e dytë radhazi. Pas triumfit 6:0 ndaj Shkumbinit, skuadra mposhti bindshëm edhe Astirin me rezultatin 4:0, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe ambiciet për trofeun informon Tetovasot.
Edhe kësaj radhe protagonist absolut ishte Leard Salihi, i cili realizoi tre gola, ndërsa golin e katërt e shënoi Omer Ramadani, duke vulosur një tjetër fitore të merituar.
Përveç golashënuesve, paraqitje shumë të mirë zhvilluan edhe Arda Rexhepi, Drini Ademi, Olsi Salihi, Andi Omeri, Leart Xheladini, Miran Emini, Alban Elmazi, Dijar Kuçi dhe futbollistët e tjerë, të cilët dominuan gjatë gjithë takimit me disiplinë, organizim dhe lojë kolektive.
Koordinatori Habil Livoreka përgëzoi ekipin për seriozitetin e treguar në dy ndeshjet e para.
“Jam krenar për angazhimin dhe karakterin që po tregojnë djemtë tanë. Dy fitore bindëse nuk janë rastësi, por rezultat i punës së vazhdueshme dhe përkushtimit të tyre. Megjithatë, turneu nuk ka përfunduar dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën përulësi dhe përqendrim.”
Edhe trajneri Hakan Mustafa vlerësoi paraqitjen e futbollistëve, duke theksuar frymën e skuadrës.
“Sot pamë një ekip që luajti me zemër, disiplinë dhe inteligjencë taktike. Më gëzon fakti që, përveç golave, secili futbollist dha kontributin e tij. Ky grup ka potencial të madh dhe ne do të vazhdojmë të punojmë që këta djem të zhvillohen edhe më shumë.”
Me dy fitore radhazi dhe një golavarazh mbresëlënës prej 10 golash të shënuar dhe asnjë të pësuar, Istigballsport konfirmon statusin e një prej skuadrave më të forta të turneut dhe vazhdon me besim rrugëtimin drejt fazës finale të Vllaznimi Cup Durrës 2026.Tetovasot
