Në interes të informimit të saktë dhe objektiv të opinionit publik, Komuna e Çairit njofton se projekti për ndërtimin e pishinës së mbyllur sportive në SHFK “Ismail Qemali” është realizuar në përputhje me obligimet kontraktuale dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Obligimet financiare që lidhen me projektin realizohen sipas kontratës, procedurave ligjore dhe dinamikës së përcaktuar, ndërsa Komuna e Çairit në tërësi respekton dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike.

Punimet ndërtimore që janë objekt i kontratës për furnizim publik janë realizuar plotësisht në përputhje me dinamikën e paraparë dhe kushtet e përcaktuara në kontratë.

Aktivitetet që kanë të bëjnë me kyçjen në rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit, si dhe realizimin e testimeve dhe procedurave të caktuara për vënien e objektit në funksion të plotë, nuk janë pjesë e kontratës për furnizim publik për ndërtimin e pishinës. Këto aktivitete realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe ndërmarrjet publike pas përfundimit të punimeve ndërtimore.

Ndërtimi dhe vënia në përdorim e pishinës së mbyllur sportive shkollore paraqet një investim të rëndësishëm në arsim dhe sport dhe është pjesë e angazhimeve më të gjera të Komunës së Çairit për avancimin e infrastrukturës publike dhe krijimin e kushteve më cilësore për jetesë për qytetarët.

Përmirësimi i kushteve për të rinjtë mbetet prioriteti më i lartë i Komunës së Çairit.

Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj punës transparente dhe të përgjegjshme, si dhe realizimit të projekteve që sjellin përfitime afatgjata për nxënësit, të rinjtë dhe të gjithë banorët e komunës. Njëkohësisht, Komuna e Çairit i fton të gjitha palët e interesuara që dëshirojnë të informohen më hollësisht për të gjitha aktivitetet, të vizitojnë faqen zyrtare të komunës www.cair.gov.mk ose t’u drejtohen shërbimeve përkatëse komunale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume