Presidenti francez Emmanuel Macron ka mirëpritur marrëveshjen e nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe stabilizimit të ekonomisë globale.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Macron shpërndau një video nga momenti kur presidenti amerikan Donald Trump firmos memorandumin e mirëkuptimit në Pallatin e Versajës, pas përfundimit të samitit të G7. Në pamje, Trump dëgjohet të thotë: “Kjo nuk ishte e lehtë”, pak çaste para nënshkrimit të dokumentit.

“Presidenti Trump nënshkroi sonte në Versajë marrëveshjen mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo marrëveshje hap rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe lejon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Macron.

Sipas presidentit francez, marrëveshja përbën “një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur”, duke shtuar se normalizimi i situatës në rajon pritet të ndikojë pozitivisht edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të sjellë ulje të çmimeve.

Marrëveshja mes Uashingtonit dhe Teheranit përfshin 14 pika kryesore, mes të cilave ndërprerjen e armiqësive, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqjen graduale të kufizimeve dhe sanksioneve, si dhe nisjen e një raundi të ri negociatash për programin bërthamor të Iranit.
Nënshkrimi i dokumentit pati ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare, me çmimet e naftës që shënuan rënie, ndërsa investitorët e interpretuan marrëveshjen si një sinjal për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rikthimin gradual të stabilitetit në furnizimin global me energji.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume