Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që Bashkimi Evropian ka kërkuar prej saj për të përparuar drejt anëtarësimit, ndërsa bllokada nga Bullgaria krijon një precedent të keq për të gjithë rajonin. Kështu vlerëson ish-përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në një deklaratë për TVM-në, Palmer theksoi se kontestet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit dhe se pret një rol më aktiv nga Brukseli dhe vendet kryesore anëtare të BE-së.

“Ajo që mund të them është se Maqedonia bëri gjithçka që Bashkimi Evropian kërkoi prej saj për të përparuar drejt anëtarësimit. Konsideroj se është jashtëzakonisht për të ardhur keq që Bullgaria është në pozitë ta bllokojë këtë proces për Shkupin. Kjo krijon një precedent të keq për rajonin”, deklaroi Palmer.

Sipas tij, pasojat e bllokadës ndihen edhe te vendet e tjera kandidate, të cilat po e ndjekin përvojën e Maqedonisë dhe po pyesin se me çfarë kushtesh shtesë mund të përballen në rrugën drejt BE-së.

“Beogradi po e ndjek përvojën e Shkupit dhe po pyet se çfarë mund të kërkojnë Zagrebi apo Bukureshti në procesin e anëtarësimit. Kjo i dekurajon vendet kandidate që të zbatojnë reformat e nevojshme”, paralajmëroi Palmer.

Ai shprehu shpresën se Bullgaria do të tregojë përmbajtje, ndërsa Bashkimi Evropian do të insistojë që çështjet dypalëshe të mos rëndojnë procesin e zgjerimit.

Duke folur për ndihmën e mundshme amerikane në tejkalimin e kontestit, Palmer kujtoi se personalisht kishte qenë i përfshirë në përpjekjet e mëparshme për të hequr bllokadën, kur kërkesat bullgare filluan të pengonin rrugën evropiane të Shkupit.

“Bëmë gjithçka që mundëm për ta hequr bllokadën. Ky nuk është një proces i thjeshtë, por besoj se Sofja në fund do ta kuptojë se është në interes të Bullgarisë që Maqedonia të jetë partneri i saj evropian”, tha Palmer.

Ai pret që SHBA-ja të vazhdojë t’i mbështesë të dyja palët, por theksoi se nevojitet edhe angazhim më i madh nga institucionet evropiane dhe kryeqytetet kryesore të BE-së.

Sipas Palmerit, vendet kandidate duhet të vlerësohen në bazë të reformave të zbatuara dhe jo në bazë të çështjeve historike dhe identitare. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Evropian në praktikë e ka të vështirë të imponojë një qasje të tillë pa mbështetjen aktive të vendeve me ndikim brenda BE-së.

“Prandaj, vendet kryesore anëtare duhet të ndihmojnë që procesi të jetë i drejtë, transparent dhe në interes të të gjitha palëve të përfshira. Këtu mendoj për Francën, Gjermaninë dhe Italinë, të cilat duhet të marrin rol proaktiv dhe të mbrojnë integritetin e procesit”, theksoi Palmer.

Ai vlerëson se ekzistojnë disa qasje të mundshme dhe hapësirë për „diplomaci kreative”. Sipas tij, një angazhim i tillë pritet nga të dyja vendet, Brukseli, kryeqytetet kryesore evropiane dhe Uashingtoni.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume