Sot, në margjinat e Sesionit Plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, që po mbahet në Kuvend, Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, realizoi takim me dr. Anxhello Faruxha, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës së Maltës.
Në takim u shpreh kënaqësia që Kuvendi është nikoqir i kësaj ngjarjeje ndërkombëtare, si dhe mundësia për të biseduar perspektivat e bashkëpunimit të ardhshëm midis Maqedonisë së Veriut dhe Maltës.
Kryetari Gashi theksoi se diplomacia parlamentare paraqet një segment të rëndësishëm në punën e përditshme parlamentare dhe një mundësi për të promovuar dukshmërinë e një parlamenti përtej kufijve të shtetit, por edhe një mundësi për të ndarë përvoja të përbashkëta dhe praktika të mira midis dy parlamenteve kombëtare, me theks të veçantë në integrimin evropian dhe përvojat e Maltës si një vend i vogël anëtar i Bashkimit Evropian gjatë procesit të saj të aderimit në BE. Ai e theksoi rëndësinë e parimit nga ana e Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe zbatimin e plotë të Kritereve të Kopenhagës dhe parimit të meritave.
Kryetari Faruxha shprehu mirënjohjen e tij që Kuvendi është nikoqir i kësaj konference ndërkombëtare. Ai tregoi se Malta e mbështet plotësisht rrugën evropiane të vendit tonë dhe konsideron se anëtarësimi në BE, një rrugë që ka filluar për gati një çerek shekulli që kur vendi ishte kandidat për anëtarësim në BE, po ngec padrejtësisht. Ai shpreson për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, diçka që do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme për Kuvendin tonë, veçanërisht në kuadër të rrugës së integrimit evropian.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve janë bazë e shkëlqyer për intensifikimin e bashkëpunimit të përbashkët në të gjitha nivelet në të ardhmen dhe shprehën besimin e tyre se të dy parlamentet do ta intensifikojnë bashkëpunimin në periudhën e ardhshme.