Mëngjesin e sotëm me orën shqiptare janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të Grupit J të Kupës së Botës 2026, duke i dhënë fund ndeshjeve në grupe. Argjentina fitoi 1-3 kundër Jordanisë (e eliminuar), teksa Austria barazoi 3-3 kundër Algjerisë. Në fazën e 1/16-ave do të përballen: Argjentinë – Kepi i Gjelbër, Spanjë – Austri dhe Zvicër – Algjeri.

Në Arlington të Teksasit, Argjentina fitoi 1-3 kundër Jordanisë. Kampionët në fuqi të botës shënuan me Lo Celso pas 19 minutash lojë, ndërsa Lautaro Martinez dyfishoi në të 31 minutë nga 11 metërshi. Në pjesën e dytë Tamari shkurtoi shifrat për 1-2, por Lionel Messi i futur nga stoli gjeti golin e tretë të ndeshjes. Messi bëhet futbollisti i parë në historinë e futbollit që shënon në shtatë ndeshje radhazi të Kupës së Botës. Ai kryeson listën e golashënuesve më të mirë të historisë në këtë turne me 19 gola, teksa gjashtë i ka shënuar në këtë edicion. Argjentina në fazën e radhës do të përballet me surprizën e Kepit të Gjelbër.

Në Kansas, Algjeria barazoi 3-3 kundër Austrisë në një ndeshje emocionuese deri në sekondat e fundit. Të dyja skuadrat siguruan një biletë për më tej, teksa Irani del jashtë Kupës së Botës. Austria shënoi me Arnautovic pas 28 minutave lojë, para se Algjeria të shënonte tre herë me Belghail dhe dopietën e Riyad Mahrez. Në shtesën e gjashtë, Kalajdzic i cili kishte vetëm disa sekonda në fushë barazoi 3-3 për Austrinë. Evropianët do të përballen me Spanjën në 1/16-at, teksa Algjeria gjen Zvicrën.