Me ceremoninë solemne të hapjes në Sheshin Skënderbeu, sot nisi zyrtarisht Panairi i Librit Shqip – Shkupi 2026, ngjarja e parë e këtij lloji në kryeqytet, e organizuar nga Komuna e Çairit në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe të Promocionit nga Tirana.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e cilësoi këtë panair si një moment të rëndësishëm për kulturën, gjuhën dhe librin shqip.
“Sot Shkupi flet shqip. Flet shqip me zërin e librave, me gjuhën e mendimit dhe me praninë e kulturës sonë të shkruar, në hapjen e Panairit të Librit Shqip për herë të parë në këtë qytet.”
Mexhiti theksoi se organizimi i këtij panairi përfaqëson një hap të rëndësishëm në afirmimin e kulturës shqiptare në hapësirën publike dhe në promovimin e leximit te brezat e rinj.
“Ky panair shënon një moment të rëndësishëm për gjuhën dhe kulturën shqipe, si dëshmi e gjallërisë së saj dhe e fuqisë së fjalës së shkruar. Është një hap që e vendos librin shqip në qendër të hapësirës publike dhe e dëshmon vazhdimësinë e një identiteti kulturor që nuk zbehet.”
Panairi i Librit Shqip – Shkupi 2026 do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri më 7 qershor dhe do të sjellë promovime librash, takime me autorë, diskutime letrare dhe aktivitete të shumta kulturore me pjesëmarrjen e shtëpive botuese nga të gjitha trojet shqiptare.
Në fund të fjalës së tij, Mexhiti ftoi qytetarët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore.
“Ejani çdo ditë, deri më 7 qershor, në Sheshin Skënderbeu, ta nderojmë librin dhe gjuhën shqipe.”




