Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria vazhdon të investojë fuqishëm në projekte infrastrukturore dhe zhvillimore nëpër komuna, duke theksuar se për investime kapitale janë paraparë rreth 500 milionë euro informon Tetovasot.

“Është kënaqësi të shohësh projekte që përfundojnë dhe vihen në funksion të qytetarëve. Kur realizon diçka të dobishme për komunitetin, natyrisht se ndihesh i kënaqur. Këto janë premtime që duhet të realizohen dhe ne po punojmë pikërisht në këtë drejtim”, tha Mickoski.

Ai nënvizoi se përmes dy thirrjeve publike të shpallura nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale janë siguruar rreth 350 milionë euro, ndërsa së bashku me projektet që financohen nga ministritë e tjera, investimet direkte të Qeverisë në komuna arrijnë në afërsisht gjysmë miliard euro.

Sipas kryeministrit, kjo përfaqëson një nga ciklet më të mëdha investuese të realizuara në bashkëpunim me komunat gjatë dy viteve të fundit.

“Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe në periudhën që vjen, duke nisur projekte të reja dhe duke përfunduar ato që tashmë kanë filluar”, theksoi Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume