Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria po vazhdon mbështetjen e ndërmarrjeve vendore përmes linjës kreditore të njohur në opinion si kredia hungareze, ndërsa paralajmëroi se industria tashmë po shfaq shenja të forta rimëkëmbjeje.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski theksoi se javën e kaluar janë transferuar rreth 120 milionë denarë për kompanitë, ndërsa vlera e përgjithshme e mjeteve të plasuar deri tani ka arritur në 230 milionë euro.
“Ne nuk mbështesim vetëm investimet e huaja direkte, por edhe sipërmarrësit vendorë, industrinë dhe ekonominë e vendit. Kreditë ofrohen me normë interesi prej 1.95 për qind, me grejs periudhë trevjeçare dhe afat kthimi deri në 12 vjet”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, kjo mbështetje financiare pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e investimeve të kompanive vendore dhe në forcimin e aktivitetit ekonomik.
Kryeministri foli edhe për treguesit e fundit ekonomikë, duke nënvizuar se pas vështirësive të muajit mars, industria është rikuperuar dhe në muajin prill ka shënuar rritje prej 7.4 deri në 7.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ai vlerësoi se këto rezultate dëshmojnë se ekonomia po ecën në drejtimin e duhur, pavarësisht sfidave globale dhe krizave energjetike që kanë prekur rajonin dhe Evropën.
“Në fund, Maqedonia po përshpejton zhvillimin dhe do të vazhdojë të ecë përpara”, u shpreh Mickoski, duke kritikuar ata që, sipas tij, përhapin panik dhe dezinformata për gjendjen ekonomike në vend. Tetovasot.
youtube.com/live/tBhz8txN3ts?si=9_q_TkGhjbu4f8wv