Ministri Aliu mori pjesë në promovimin online të “Udhërrëfyesit për Shëndetin dhe Mirëqenien në Ballkanin Perëndimor 2026–2030”
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mori pjesë në promovimin online të “Udhërrëfyesit për Shëndetin dhe Mirëqenien në Ballkanin Perëndimor 2026–2030”, një dokument rajonal i përgatitur me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në fjalën e tij, ministri Aliu theksoi se prioritetet e përcaktuara në Udhërrëfyes janë plotësisht të lidhura me proceset reformuese që po zbaton Ministria e Shëndetësisë, me theks të veçantë në transformimin digjital, dosjet elektronike shëndetësore, shkëmbimin më të mirë të të dhënave ndërmjet institucioneve dhe harmonizimin me standardet evropiane.”
“Nga perspektiva e Ministrisë së Shëndetësisë, e mirëpresim këtë Udhërrëfyes si një kornizë të vlefshme rajonale. Ai pasqyron në masë të madhe gjendjen aktuale dhe prioritetet reformuese që janë të rëndësishme për vendin tonë. Fokusi i tij në forcimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe shëndetit publik, burimeve njerëzore në shëndetësi, sigurisë dhe gatishmërisë shëndetësore, parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve jo-ngjitëse, imunizimit dhe bashkëpunimit rajonal është jashtëzakonisht relevant për kontekstin tonë kombëtar. Për ne, këto prioritete nuk janë abstrakte. Ato janë të lidhura drejtpërdrejt me reformat që po i zbatojmë aktualisht. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm, më të orientuar drejt njerëzve, më të përqendruar në parandalim dhe më të udhëhequr nga të dhënat dhe dëshmitë. Një sistem shëndetësor që mund t’u përgjigjet situatave emergjente, por që njëkohësisht ofron çdo ditë shërbime cilësore. Një sistem që i mbështet qytetarët jo vetëm kur janë të sëmurë, por edhe i ndihmon të mbeten të shëndetshëm”, theksoi ministri Aliu në fjalën e tij.
Ai theksoi se fusha e parë është shëndetësia digjitale dhe se ajo përbën një nga fushat qendrore të reformave në shëndetësi për planifikim më të mirë, koordinim më të mirë, transparencë më të madhe dhe shërbime më të mira për qytetarët. Fusha e dytë është cilësia e kujdesit shëndetësor dhe siguria e pacientëve. Qasja në shërbime mbetet thelbësore, qytetarëve u nevojiten shërbime që janë të sigurta, efektive, në kohë, të barabarta dhe me cilësi të lartë. Ne besojmë se cilësia e kujdesit shëndetësor dhe siguria e pacientëve do të jenë elemente kyçe edhe në zbatimin e Udhërrëfyesit.
“Vendi ynë është i gatshëm të kontribuojë në mënyrë aktive në këtë proces. Besojmë se bashkëpunimi rajonal mund të na ndihmojë të mësojmë nga njëri-tjetri, të shmangim mundimin e përpjekjeve dhe të ecim më shpejt në fushat ku sfidat tona janë të ngjashme. Duke punuar së bashku, mund të forcojmë gatishmërinë, të përmirësojmë funksionet e shëndetit publik, të mbështesim punonjësit shëndetësorë, të avancojmë transformimin digjital dhe të sigurojmë rezultate më të mira për qytetarët tanë”, theksoi Aliu.

