Konsumatorët shqiptarë e paguan karburantin 10.5% më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian në vitin 2025. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat, i cili mat indeksin e nivelit të çmimeve sipas barazisë së fuqisë blerëse (Purchasing Power Parities – PPP).

Ky tregues krahason sa kushton e njëjta shportë mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme, duke eliminuar efektin e kursit të këmbimit dhe diferencave në nivelin e të ardhurave.

Për Shqipërinë, indeksi për grupin “Karburante dhe lubrifikantë për mjetet private të transportit” ishte 110.5%, që do të thotë që për të blerë të njëjtën sasi karburanti, që një qytetari në BE do ti duheshin 100, një përdoruesi shqiptar të automjeteve do ti duheshin 110.5 euro.

Në terminologjinë e Eurostat, kjo kategori përfshin: benzinën, naftën, gazin për automjete (LPG/CNG), vajrat lubrifikues dhe produkte të ngjashme për mirëmbajtjen e automjeteve private.

Ndonëse Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Europës, në të ardhurat për frymë (43% e mesatares se BE) dhe konsumin individual sipas fuqisë blerëse (48% e BE) duke lënë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën, ata që kanë makina detyrohen të blejnë karburantin me çmime më të shtrenjta se shumë shtete më të zhvilluara.

Shqipëria renditet e pesta, sipas Eurostat, për çmimet e shtrenjta të karburanteve sipas fuqisë blerëse, pas Islandës (128.4%), Danimarkës (114.7), Holandës (114) dhe Zvicrës (113.7).

Nafta është shumë më e shtrenjte dhe se në rajon. Pas nesh renditet Serbia (96.1), Mali i Zi (85.6). Bosnjë Hercegovina është nga fundi i listës (76.3), së bashku me Maqedoninë e Veriut (72), me këtë të fundit, ku furnizohen një pjesë e mirë e shqiptarëve, që është e dyta më e lirë për karburantet në Europë, pas Turqisë (67.5). Mungojnë të dhënat për Kosovën.

Në krahasimin relativ me BE-në, Shqipëria është shtrenjtuar vazhdimisht. Çmimet e kapën mesataren e BE-së që në 2022-2023, u ngjitën në 106.6 në 2024-n, për të thelluar më tej diferencën në 2025-n.

Në pjesën e parë të 2026-s, diferenca mes çmimeve, sidomos me rajonin u thellua dhe më shumë, teksa vendet e tjera morën masa duke ulur barrën fiskale mbi karburantet, ndërsa qeveria shqiptare zbatoi një ulje të akcizës vetëm 5 ditë.

Arsyeja kryesore e diferencës së çmimeve lidhet me nivelin e lartë të taksave që paguhen për një litër karburant, që në Shqipëri përbëjnë rreth gjysmën e çmimit ndërsa në vendet e tjera të rajonit, rreth 30-35%./Monitor

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume