Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, sot në kuadër të samitit ministror në Selanik zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Dimal Basha.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, në takim është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta rajonale infrastrukturore me rëndësi strategjike.
Në takim është vlerësuar se Maqedonia dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe potencial të madh për rritje të mëtejshme të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e infrastrukturës së transportit, e cila përbën bazë për zhvillim ekonomik, rritje të shkëmbimit tregtar dhe lidhje më të mirë të rajonit.
Nikoloski ka theksuar se Qeveria është plotësisht e përkushtuar për realizimin e investimeve kapitale infrastrukturore, duke vënë theks të veçantë në ndërtimin e segmentit autostradal Shkup – Bllacë.
Ky projekt përfaqëson lidhjen më të rëndësishme rrugore mes Maqedonisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë për transport më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas, do të përmirësojë lëvizshmërinë e qytetarëve dhe ekonomisë dhe do ta forcojë më tej bashkëpunimin rajonal – theksoi Nikoloski.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se infrastruktura më e mirë e transportit do të mundësojë aktivitet më intensiv ekonomik, qarkullim më të lehtë të njerëzve dhe mallrave dhe do të krijojë mundësi të reja për investime dhe zhvillim të biznesit në të dy vendet.
Në takim u theksua gjithashtu se Kosova është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë, ndërsa realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të shkëmbimit tregtar, përmirësimin e konkurrueshmërisë së rajonit dhe krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.
Të dyja palët rikonfirmuan gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit institucional dhe vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta me qëllim realizimin më të shpejtë të projekteve me interes të përbashkët që sjellin përfitime afatgjata për qytetarët dhe ekonomitë e të dy vendeve.