Ka nisur takimi ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe VLEN, në kuadër të konsultimeve për funksionimin e mëtejmë të qeverisë dhe koordinimin mes partnerëve të shumicës parlamentare, raporton Zyrtare.

Kryeministri Hristijan Mickoski pritet që gjatë ditës së nesërme të zhvillojë takim edhe me përfaqësuesit e ZNAM, e cila gjithashtu është pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas informacioneve, për nesër është planifikuar takim me kryetarin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se bisedimet janë ende në një fazë të hershme dhe përfaqësojnë një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, për çka nuk publikojnë detaje shtesë.
Jozyrtarisht, ZYRTARE.net mëson se një nga kërkesat kryesore të VLEN-it është largimi i Fatmir Limani nga posti i ministrit, me arsyetimin se ai nuk e përfaqëson më VLEN-in. Burime jozyrtare bëjnë të ditur gjithashtu se në tavolinën e bisedimeve mund do të shqyrtohet edhe lëvizje të tjera kadrovike brenda resorëve qeveritarë, si dhe mundësia e shkëmbimit të disa ministrive mes partnerëve të koalicionit.
Pak ditë më parë, kryeministri Mickoski kishte vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin me VLEN-in.
“Tani jemi në gjysmën e dytë të mandatit, kemi bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN. Pres që të vazhdojmë në atë drejtim”, kishte deklaruar ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume