Shkup, 18 qershor – Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar pas miratimit të Rezolutës së Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në të cilën eurodeputetët shprehin shqetësim për lidhjet gjithnjë e më të forta të vendit me Serbinë, ndikimin rus dhe promovimin e narrativave që lidhen me të ashtuquajturën “Botë Serbe”.
Përmes një reagimi publik, Osmani ka rikujtuar mbështetjen që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dha ndryshimit të pushtetit në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit kanë prodhuar një paradoks politik.
Reagimi i plotë i Bujar Osmanit:
Kur Albin Kurti mbështeste ndryshimin e pushtetit në Shkup, e paraqiste atë si fitore të politikës së re ndaj establishmentit të vjetër. Sot, Parlamenti Evropian ngre shqetësimin se Maqedonia e Veriut po afrohet gjithnjë e më shumë me qeverinë e Serbisë, po ekspozohet ndaj ndikimeve ruse dhe ndaj narrativave të ashtuquajturës “Bota Serbe”.
Paradoksi është i qartë.
Nuk e di se e ka pasur Albin Kurti ndonjëherë qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon. Por politika nuk matet vetëm me qëllime. Politika matet me pasoja.
Pyetja që meriton përgjigje është: si ndodhi që një lëvizje politike, e cila e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, u bë sponsore e aktorëve politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin?
Për dekada me radhë, shqiptarët në rajon kanë ndarë disa prioritete të përbashkëta strategjike: integrimin euroatlantik, partneritetin me SHBA-të, orientimin drejt BE-së dhe rezistencën ndaj projekteve që cenojnë sovranitetin e shteteve të Ballkanit.
Kur interesat partiake fillojnë të zëvendësojnë këto prioritete strategjike, humbës nuk janë kundërshtarët politikë. Humbës bëhen interesat kombëtare.
Prandaj, pyetja nuk është pse Parlamenti Evropian po ngre alarmin. Pyetja është: a do të ketë dikush guximin të shpjegojë se si përfunduam këtu?
