Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Strategjisë për Zhvillim Rajonal për periudhën 2021–2031, duke e harmonizuar atë me gjendjen aktuale demografike dhe zhvillimore në vend, si dhe me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024–2044.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, theksoi se ndryshimet janë rezultat i analizave konkrete dhe vlerësimit të deritanishëm të zbatimit të strategjisë.

“Qëllimi ynë është që Strategjia të bëhet më operative, më funksionale dhe më efikase në arritjen e objektivave strategjike, përmes mbështetjes së zhvillimit policentrik dhe zvogëlimit të dallimeve rajonale”, deklaroi Perinski para Komisionit për Vetëqeverisje Lokale dhe Komisionit Juridiko-Ligjvënës.

Strategjia për Zhvillim Rajonal paraqet dokumentin kryesor afatgjatë për zhvillimin e balancuar të rajoneve në vend, duke përcaktuar prioritetet, masat dhe mekanizmat financiarë për realizimin e politikave zhvillimore.

Sipas ministrit, ndryshimet e miratuara bazohen në rezultatet e vlerësimit të ndërmjetëm të strategjisë, ku janë identifikuar masat që kanë qenë të vështira për t’u zbatuar, ndërsa janë propozuar zgjidhje të reja për të rritur efikasitetin e tyre.

Një nga elementet kryesore të ndryshimeve është harmonizimi me rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2021, duke integruar të dhënat e reja demografike në procesin e planifikimit dhe zhvillimit rajonal.

Nga Ministria theksojnë se procesi i përgatitjes së ndryshimeve është zhvilluar në konsultim me institucionet kompetente dhe aktorët relevantë që marrin pjesë në zbatimin e politikave për zhvillim të barabartë rajonal.

Tetovasot raporton se me këto ndryshime, autoritetet synojnë të krijojnë politika më efektive për zhvillimin ekonomik dhe social të të gjitha rajoneve të vendit, duke reduktuar pabarazitë ekzistuese dhe duke nxitur zhvillim më të qëndrueshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume