Adnan Azizi

Sa herë që dalin para pasqyrës, nuk shohin VLEN-in – shohin trashëgiminë e tyre.
U dalin përpara rrugët e lëna pas dore, spitalet me probleme, arsimi i politizuar, deponitë e egra, qentë endacakë, çezmat pa ujë, problemet me furnizimin dhe cilësinë e ujit, hapësirat publike të uzurpuara, ajri i ndotur, shërbimet e dobëta komunale, si edhe akuzat e vazhdueshme për korrupsion, ryshfet dhe keqpërdorime gjatë viteve të qeverisjes së tyre.
U del përpara edhe pamja më e dhimbshme: kolonat e autobusëve me të rinj që u larguan nga Tetova dhe Pollogu në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Për shumë qytetarë, kjo është pasoja më e rëndë e një qeverisjeje që nuk u dha shpresë.
Prandaj, sa herë që vijnë në Tetovë, nuk i ndjek VLEN-i. I ndjek kujtesa e qytetarëve. U del përpara pasqyra e 22 viteve të qeverisjes së tyre. Dhe atë pasqyrë nuk mund ta thyejnë, sepse është e gdhendur në kujtesën e çdo tetovari.
Sot përpiqen t’ia hedhin fajin Bilall Kasamit për gjithçka. Por qytetarët shohin ndryshimin. Përkrahësit e tij vlerësojnë se gjatë mandatit të tij janë ndërmarrë hapa konkretë për pastrimin e qytetit, përmirësimin e shërbimeve komunale, investimet në infrastrukturë, lirimin e hapësirave publike dhe trajtimin e problemeve të grumbulluara prej vitesh.
Historia nuk i gjykon njerëzit nga fjalët, por nga gjurmët që lënë pas. Dhe për shumë qytetarë, BDI-ja do të kujtohet si pushteti që humbi një mundësi historike për zhvillimin e Tetovës dhe Pollogut, ndërsa sot përpiqet t’ia faturojë të tjerëve problemet e krijuara ndër vite.