Rrjetet sociale janë kthyer në një nga hapësirat ku përhapen më shpesh mesazhet e urrejtjes dhe përmbajtjet fyese. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se të rinjtë janë grupi më i ekspozuar ndaj këtij fenomeni, ndërsa edhe Shqipëria vijon të përballet me sfida në luftën kundër gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në internet.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2025, 54% e përdoruesve të internetit të moshës 25-34 vjeç dhe 53.7% e atyre 16-24 vjeç kanë parë mesazhe armiqësore ose poshtëruese të drejtuara ndaj individëve apo grupeve të caktuara. Me rritjen e moshës kjo përqindje bie, duke zbritur në 28.1% tek personat 65-74 vjeç.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat janë më të ekspozuara se djemtë. Në grupmoshën 16-24 vjeç, 57.2% e vajzave deklaruan se kishin hasur gjuhë urrejtjeje në internet, kundrejt 50.4% të djemve. Mesazhet më të shpeshta lidhen me pikëpamjet politike ose shoqërore, origjinën racore apo etnike, orientimin seksual dhe gjininë.

Edhe në Shqipëri, gjuha e urrejtjes vazhdon të mbetet një problem. Sipas raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, megjithëse legjislacioni është në përputhje me standardet europiane, zbatimi i tij mbetet sfidë. Gjatë vitit 2024, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi trajtoi 12 raste të gjuhës së urrejtjes, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 u regjistruan edhe 11 raste të reja. Në të njëjtën kohë, policia raportoi 7 raste të krimeve të urrejtjes në vitin 2024 dhe 8 raste vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025.

Një raport monitorimi mbi gjuhën e urrejtjes në Shqipëri tregon se gjatë periudhës janar 2024 – qershor 2025 u identifikuan 96 raste të gjuhës diskriminuese dhe të urrejtjes në media dhe platformat online. Më të shpeshtat ishin sulmet ndaj grave dhe vajzave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume