Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka bërë thirrje për ndjekje penale ndaj drejtuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Ai pretendoi se gjatë konflikteve janë kryer shkelje të rënda, duke përmendur vrasjen e fëmijëve, sulme ndaj qendrave shëndetësore dhe dëme të konsiderueshme fizike e psikologjike ndaj civilëve. Sipas tij, këto raste duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht si në gjykatat iraniane, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Udhëheqësi iranian, Sayyed Khamenei, ka urdhëruar gjyqësorin e vendit të ndërmarrë veprime ligjore Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu, të cilët i konsideron përgjegjës për krime lufte të kryera kundër Iranit dhe popullit iranian gjatë konflikteve të viteve 2025 dhe 2026.

Në një mesazh me rastin e Javës Kombëtare të Gjyqësorit, Khamenei tha se ndjekja e këtyre çështjeve përbën një nga prioritetet kryesore të sistemit të drejtësisë iraniane.

“Autorët e këtyre krimeve duhet të kapen dhe të përgjigjen për to”, tha Khamenei, duke i përshkruar veprat e dyshuara penale si “një dosje çështjesh midis qindra, në fakt mijëra, çështjeve të rëndësishme ligjore që duhet të ndiqen me seriozitet në gjykatat vendase dhe ndërkombëtare”.

Sipas tij, rastet përfshijnë vrasjen e fëmijëve në Minab dhe Lamerd, sulmet ndaj objekteve mjekësore dhe të shërbimeve, si dhe vrasjen e Sejjid Ali Khameneit, së bashku me atë që ai e përshkroi si dëme të mëdha fizike, psikologjike, materiale dhe shpirtërore të shkaktuara ndaj popullit iranian.

Khamenei deklaroi se gjyqësori duhet të mbështetet në direktivat e mëparshme për të hetuar krimet e kryera gjatë luftës së mëparshme dhe të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie “derisa të merret një vendim dhe ekzekutimi i tij t’u besohet palëve kompetente”.

Ai argumentoi gjithashtu se deklaratat e bëra nga zyrtarët amerikanë dhe izraelitë përforcojnë bazën ligjore për procedimet penale.

“Rrëfimet dhe madje edhe mburrja e paturpshme e disa udhëheqësve armiq amerikanë dhe sionistë për këto krime përbëjnë një pranim faji”, tha ai, duke shtuar se vërejtje të tilla “hodhën themelet e duhura për rivendosjen e të drejtave të shkelura të kombit”.

Khamenei përmendi gjithashtu vrasjen e babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, duke e përfshirë atë mes “mijëra çështjeve madhore” që, sipas tij, kërkojnë drejtësi.

Në deklaratën e tij, ai u shpreh se ‘këta kriminelë duhet të sillen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale’”, ndërsa shtoi se deklaratat publike dhe pranimi i veprimeve nga udhëheqësit e asaj që ai e quajti “armiku SHBA-sionist” përbëjnë, sipas tij, prova të qarta të përgjegjësisë.

Sipas Khameneit, hetimi i ngjarjeve që lidhen me dy konfliktet i është besuar autoriteteve kompetente dhe synon jo vetëm ndëshkimin e përgjegjësve, por edhe parandalimin e përsëritjes së ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

Deklaratat e Mojtaba Khameneit vijnë në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka ndërmarrë një tjetër seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke goditur sisteme të mbrojtjes ajrore, depo raketash dhe dronësh, si dhe infrastrukturë të mbikëqyrjes. Sipas ushtrisë amerikane, operacioni ishte një “përgjigje e drejtpërdrejtë” ndaj sulmeve të vazhdueshme iraniane ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime pranë qytetit Sirik, në ishullin Keshm dhe në afërsi të Bandar-Lengeh, megjithëse këto raportime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Në reagim, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se kishte kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, duke pretenduar se ishin goditur baza amerikane në Ali Al-Salem dhe Mina Salman. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet amerikane.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Iranin për shkelje të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit dhe konfirmoi se SHBA-ja kishte goditur objektiva ushtarake iraniane si përgjigje. Ai paralajmëroi se, nëse sulmet vazhdojnë, Uashingtoni mund të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake. Sipas autoriteteve amerikane, ky është sulmi i dytë ndaj objektivave iraniane që nga marrëveshja kornizë e arritur mes dy vendeve në mesin e muajit qershor, çka sinjalizon një përshkallëzim të ri të krizës mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume