Startoi realizimi i provimit të maturës shtetërore për vitin shkollor 2025–2026, koncept i ri për 14.587 maturantë
Sot filloi realizimi i provimit të maturës shtetërore për vitin shkollor 2025/2026. Gjithësej,
14.587 maturantë janë paraqitur për dhënien e provimeve, me të cilat përmbyllin arsimin e
mesëm dhe fitojnë kusht për vazhdimin në institucionet e arsimit të lartë, ose për përfshirje në
tregun e punës.
Dhënia e provimit zhvillohet në shkollat, ku janë siguruar të gjitha kushtet ligjore dhe
organizative, ndërsa një pjesë e nxënësve, me kërkesë të shkollave, i nënshtrohen provimit në
amfiteatrot e fakulteteve më të afërta.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska dhe drejtoresha e Qendrës
Shtetërore të Provimeve, Daniela Mihajllovska, vizituan Fakultetin Ekonomik pranë
Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku provimit i nënshtrohen nxënësit e
SHMQSH “Vasill Antevski – Dren”.
Në deklaratë për mediet, ministrja Janevska u uroi të gjithë maturantëve sukses në dhënien e
provimeve dhe theksoi se këtë vit, matura realizohet sipas konceptit të ri, i cili mundëson
qasje më të drejtë në vlerësimin e nxënësve.
“Për herë të parë, matura shtetërore po realizohet, sipas Konceptit të ri, i cili parashikon
maturë shtetërore, profesionale dhe artistike. Në këtë mënyrë nxënësit do të testohen, sipas
përmbajtjeve mësimore, që realisht i kanë mësuar gjatë arsimit të mesëm, gjë që përbën një
hap të rëndësishëm drejt një drejtësie më të madhe dhe mundësive të barabarta për të gjithë
maturantët”, deklaroi Janevska.
Gjithashtu, informoi se lloji i maturës mund të zgjidhet edhe në varësi të asaj, nëse dhe ku
maturanti do të vazhdonte të avansohet. Siç tha ajo, institucionet e arsimit të lartë që në fund
të vitit të kaluar njoftuan, se me çfarë mature një nxënës mund të regjistrohet në programet e
tyre studimore.
Sot maturantët i nënshtrohen provimit të parë nga dy provimet eksterne – gjuhë të huaj,
matematikë ose histori, në varësi të llojit të zgjedhur të maturës. Provimi i dytë ekstern, në
gjuhën amtare, do të zhvillohet më 11 dhe 12 qershor.
“Pres që procesi të kalojë, në mënyrë më të mirë dhe në atmosferë korrekte. Së bashku me
shkollat, testatorët dhe vëzhguesit punuam për të krijuar kushte për zhvillimin e rregullt të
provimeve. I bëj thirrje nxënësve të mbështeten në njohuritë e tyre, sepse çdo përpjekje për
kopjim, sjell pasoja serioze dhe mund të prolongojë marrjen e diplomës për tërë vitin”,
theksoi ministrja.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mihajllovska, informoi se nga gjithësej
12.184 maturantë, që do t’i nënshtrohen maturës shtetërore, 2.276 nxënës për maturën
shtetërore profesionale dhe 127 janë paraqitur për maturën shtetërore artistike.
“Organizimi i maturës shtetërore, sipas Konceptit të ri, kërkon angazhim më të madh, por
Qendra Shtetërore e Provimeve, në koordinim me Ministrinë dhe shkollat, do t’i përgjigjen
me sukses kësaj sfideje, në fokus të së cilës janë interesat e nxënësve”, deklaroi Mihajllovska.
Për zhvillimin e pandërprerë dhe të rregullt të maturës janë angazhuar rreth 2.500 testatorë
dhe 200 vëzhgues. Rezultatet do të publikohen më së voni një muaj pas nënshtrimit të
provimit të dytë ekstern.

