Tre marinarë indianë kanë mbetur të vrarë, pasi ushtria amerikane goditi një tanker nafte në Gjirin e Omanit. Anija u sulmua të mërkurën pasi ushtria Shteteve të Bashkuara e akuzoi atë se nuk i ishte përmbajtur udhëzimeve nga forcat amerikane. Në bord kishte 24 anëtarë indianë të ekuipazhit, nga të cilët 21 u shpëtuan.

Tankeri ishte me flamur të Palau, ndërsa marinarët fillimisht u raportuan te zhdukur, para se te mësohej fati i tyre tragjik. Pas sulmit të mërkurën, qeveria indiane thirri zëvendëskryetarin e misionit amerikan në Delhi.

Ushtria amerikane kishte akuzuar anijen me flamur të Palau për shkelje të një bllokade amerikane pasi po përpiqej të transportonte naftë nga Irani. Komanda Qendrore amerikane tha se një avion qëlloi municione precize në dhomën e motorit të tankerit pasi ekuipazhi dështoi vazhdimisht të ndiqte udhëzimet.

Kjo është anija e dytë me ekuipazh indian që është sulmuar nga Shtetet e Bashkuara këtë javë. Të hënën, forcat amerikane goditën anijen cisternë nafte me flamur Palau me një ekuipazh indian.

Ushtria amerikane bllokoi qarkullimin në portet e Iranit pasi Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohen rreth 20% e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.

Forcat amerikane kanë ndaluar tetë anije dhe kanë ridrejtuar 134 të tjera që nga fillimi i bllokadës më 13 prill. Qeveria indiane ka thënë se shënjestrimi i anijeve tregtare dhe infrastrukturës civile në rajon duhet të marrë fund./abcnews.al