Toshkovski alarmon: Dhuna në familje është rritur me 67%, nuk guxojmë ta lejojmë të zhvendoset në shkolla
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës mes bashkëmoshatarëve, duke theksuar se institucionet duhet të veprojnë para se këto raste të shndërrohen në vepra penale informon Tetovasot.
Duke folur në aktivitetin për fillimin e projektit “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës në familje dhe mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”, Toshkovski tha se nuk duhet lejuar që dhuna e përjetuar në familje të transferohet në shkolla.
“Nuk guxojmë të lejojmë që dhuna nga shtëpia të zhvendoset në shkolla. Ajo duhet të njihet dhe të parandalohet para se të bëhet vepër penale”, deklaroi ministri.
Sipas të dhënave të MPB-së, nga 1 janari deri më 28 maj të këtij viti janë regjistruar 768 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, krahasuar me 460 raste në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet një rritje prej 67 për qind.
Vetëm gjatë dy javëve të para të qershorit janë evidentuar edhe 89 raste të reja.
Ministri bëri të ditur se gjatë këtij viti janë regjistruar gjithashtu 93 incidente të dhunës mes bashkëmoshatarëve në 64 shkolla të vendit.
Ai theksoi se veçanërisht shqetësues është fakti se dhuna ndaj fëmijëve është më shumë se dyfishuar, ndërsa rastet e përdhunimit të fëmijëve nën moshën 15-vjeçare janë rritur nga një rast në gjashtë raste krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Toshkovski kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet policisë, shkollave dhe qendrave për punë sociale, me qëllim identifikimin e hershëm të fëmijëve që janë viktima ose dëshmitarë të dhunës dhe parandalimin e pasojave të mëtejshme.TS