Toshkovski: Me mbështetjen e BE-së forcohet lufta kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit me njerëz
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se mbështetja e Bashkimit Evropian po kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të policisë për përballjen me kontrabandimin e migrantëve dhe trafikimin me njerëz informon Tetovasot.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve të specializuara në kuadër të projektit EU4FAST, Toshkovski theksoi se siguria e kufijve të Maqedonisë së Veriut është pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë evropiane.
Në kuadër të donacionit janë dorëzuar 30 pajisje për kontroll të dokumenteve, dy detektorë për zbulimin e personave në hapësira të fshehura, shtatë automjete policore dhe pesë kamera video, të destinuara për Policinë Kufitare dhe Njësinë Kombëtare për Luftimin e Kontrabandimit të Migrantëve dhe Trafikimit me Njerëz.
“Çdo investim në modernizimin e shërbimeve tona është investim në paqen dhe stabilitetin e gjithë hapësirës evropiane”, deklaroi Toshkovski, duke shtuar se grupet kriminale veprojnë në mënyrë transnacionale dhe kërkojnë përgjigje të koordinuar ndërkombëtare.
Sipas tij, pajisjet e reja do të rrisin ndjeshëm mobilitetin, efikasitetin dhe kapacitetet operative të njësive policore në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa projekti EU4FAST mbetet një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes institucioneve rajonale dhe partnerëve evropianë.
Projekti financohet nga European Union, German Federal Ministry for Economic Cooperation and Development, Ministry of the Interior of Italy dhe Ministry of Foreign Affairs of the Netherlands, ndërsa zbatohet nga GIZ së bashku me partnerë evropianë nga sektori i sigurisë dhe drejtësisë.Tetovasot