Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se diskutimet për çështjen e presidentit do të intensifikohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke bërë thirrje për përgjegjësi nga të gjithë deputetët dhe për gjetjen e një kandidati konsensual.

E pyetur lidhur me deklaratat e LDK-së se marrëveshja për presidentin mund të arrihet nëse kjo pozitë i takon kësaj partie, Nagavci u shpreh se presin një kandidat jopartiak.

“Presim certifikimin e rezultateve edhe pastaj zhvillojmë me intensitet të shtuar diskutimet. Bëj thirrje te të gjithë deputetët që kanë marrë besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit, që të sillen me përgjegjësi ndaj Kuvendit, ndaj institucioneve, ndaj qytetarëve që i kanë besuar që të jenë pjesë e Kuvendit dhe të mundësojmë kuorumin prej 80 deputetëve, në mënyrë që të zgjidhet presidenti apo presidentja e vendit. Kemi parë disa deklarata të emrave të përveçëm të kandidatëve të cilët kanë dëshirë të jenë presidentë apo presidente. Gjithsesi, ne presim të kemi një kandidat apo kandidate konsensuale, jo partiak, jo partiake, të cilët do të gëzojnë besoj edhe me kompetencë e përgjegjësi pozitën e tillë dhe rolin unifikues”, tha ajo.

E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë një kandidat partiak për president, Nagavci tha se kjo mbetet çështje për diskutim, duke rikujtuar përpjekjet e mëhershme të subjektit për të arritur marrëveshje me partitë e tjera./EO

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume