Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhër për nisjen e procedurës hetimore ndaj një 51-vjeçari, i dyshuar për vrasje të kryer gjatë dhunës familjare, dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit njofton INA.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se më 25 qershor, në zonën e fshatit Letevci, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, i dyshuari me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.
Ai, siç thuhet, në mbrëmje e ka marrë gruan nga vendi i saj i punës, e ka dërguar në një terren të vështirë për t’u arritur dhe e ka sulmuar fizikisht, duke e mbytur, me ç’rast ajo ka ndërruar jetë në vendngjarje. Më pas, trupin e saj e ka fshehur nën degë mes pemëve, ndërsa të nesërmen ka raportuar në polici se ajo ishte e zhdukur.
Më 27 qershor, i dyshuari u ka thënë tre të njohurve se e dinte vendndodhjen e saj, duke pretenduar se ajo i ishte shfaqur në ëndërr dhe i kishte treguar lokacionin. Pas daljes në terren, trupi u gjet dhe rasti u raportua në polici.
Prokurori publik ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana për rrezik arratisjeje, ndikim ndaj dëshmitarëve dhe mundësi përsëritjeje të veprës, ndaj është dorëzuar propozim për paraburgim.