Personi në foto është 43-vjeçari, Violand Braçellari, autori i vrasjes së policit të “Shqiponjave” Enea Mekolli dhe plagosjes së efektivit tjetër, Edison Adri.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm (4 qershor) në zonën malore të Lozhanit në Maliq.

Sipas informacionit të policisë, rreth orës 07:30, uniformat blu rrethuan një stan në malin Boden, ku dyshohej se fshihej shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.

Sipas policisë, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivimin e bimëve narkotike”.

Policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve.

Si pasojë e sulmit, ka humbur jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektori Edison Adri, 36 vjeç. Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Për neutralizimin e sulmit, efektivët i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe Braçellari, i cili më pas është arrestuar nga policia.