Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka lidhur marrëveshjen për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian me sigurimin e mbështetjes së re financiare për Ukrainën, duke kërkuar që të gjitha vendet anëtare të kontribuojnë në përballimin e nevojave ekonomike të Kievit.

Ukraina përballet me një mungesë financimi prej rreth 70 miliardë eurosh për buxhetin e vitit 2027, si pasojë e dëmeve dhe kostove të shkaktuara nga sulmet e vazhdueshme ruse. Bashkimi Evropian ka premtuar të mbulojë rreth dy të tretat e kësaj shume, ose afërsisht 45 miliardë euro, përmes një mekanizmi financiar që ende nuk është përcaktuar.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, e siguruar nga Euronews, Merz theksoi se një angazhim i përbashkët financiar nga të gjitha shtetet anëtare është kusht për avancimin e diskutimeve mbi çështjet e tjera të buxhetit evropian.

“Një angazhim kolektiv që të gjithë ne, pa përjashtim, do të kontribuojmë në mënyrë të drejtë në mbylljen e këtij boshllëku është një parakusht thelbësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për diskutimin e çdo çështjeje të mëtejshme, veçanërisht atyre me implikime financiare”, shkroi kancelari gjerman.

Merz kërkoi gjithashtu që negociatat për buxhetin shumëvjeçar të BE-së të garantojnë një zgjidhje të qëndrueshme financiare për Ukrainën edhe pas vitit 2027.

Sipas tij, marrëveshja duhet të sigurojë financim afatgjatë për Kievin nga viti 2028 e në vijim, duke përfshirë edhe detyrimet për pagesën e interesave që janë akumuluar deri më tani.

Qëndrimi i kancelarit gjerman vjen në një kohë kur financimi i Ukrainës dhe ndarja e barrës financiare mes vendeve anëtare mbeten ndër çështjet më të ndjeshme në negociatat brenda Bashkimit Evropian

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume