Partitë parlamentare sot do të bëjnë një tjetër përpjekje për të harmonizuar qëndrimet rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në një proces që prej kohësh po has vështirësi për arritjen e konsensusit, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Vërejtjet kryesore lidhen me disa çështje kyçe si votimi i diasporës, një njësi e vetme zgjedhore dhe financimi i partive më të vogla politike.

Përplasjet kryesore: votimi i diasporës

Pika më e debatueshme mbetet mënyra e votimit të diasporës. SDSM e sheh këtë si mundësi për manipulime zgjedhore, ndërsa VMRO-DPMNE thotë se votimi mund të realizohet me postë, nëse nuk përdoret votimi elektronik.

Nga SDSM akuzojnë se nxitimi për ndryshime lidhet me qëllime për manipulim zgjedhor.

“Për këtë nxitim nuk ka asnjë arsye tjetër përveç synimit për të hapur hapësirë për manipulime zgjedhore. Në vend të argumenteve, VMRO shmang përgjigjet për pyetjet kyçe,” thonë nga SDSM, duke ngritur shqetësime për votimin elektronik dhe rrezikun e abuzimeve në diasporë.

Qëndrimet e E Majtës

E Majta insiston në një njësi zgjedhore dhe në heqjen e reklamimit politik të paguar. Ata kundërshtojnë deklaratat se kërkesat e tyre janë pranuar plotësisht.

“Përkundrazi, kërkesat tona kryesore ishin një njësi zgjedhore dhe heqja e reklamimit të paguar politik, dhe ato u refuzuan. Gjatë gjithë procesit, E Majta ka qenë konstruktive dhe ka synuar konsensus dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR,” deklarojnë nga partia.

Qëndrimi i Qeverisë

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë propozime, vetëm që të mundësohet votimi i diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai tha se është më pak optimist se do të arrihet marrëveshje, duke akuzuar disa parti për pozicione të radikalizuara që, sipas tij, pengojnë konsensusin.

“Jemi të gatshëm të pranojmë gjithçka, vetëm që t’i mundësohet diasporës të votojë. Nuk kemi asnjë problem,” deklaroi Mickoski.

Mesazhi i BE-së

Në fundjavë, euroambasadori Michalis Rokas theksoi se zgjidhja ligjore është vlerësuar pozitivisht, por nevojitet marrëveshje politike.

Sipas tij, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit Evropian janë marrë parasysh, ndërsa sfida mbetet arritja e konsensusit për modalitetet e zbatimit.

“E kuptoj se ka mospajtime, por ekziston vullnet që ato të tejkalohen. Shpresoj që partitë të ulen dhe të arrijnë konsensus për këtë çështje të ndjeshme,” deklaroi Rokas.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume