Ndërsa vendi përballet me sfida në sektorin energjetik, televizioni Telma publikoi se gjatë vitit të kaluar MEPSO kishte aktivizuar garancinë bankare ndaj kompanisë kroate Dalekovod, e cila punonte në projektin e linjës së transmetimit Shkup–Veles. Megjithatë, në ndërkohë, të njëjtës kompani i është dhënë një kontratë prej 19.3 milionë eurosh për realizimin e projektit të interkoneksionit energjetik me Shqipërinë.

Kërkohet që MEPSO dhe drejtori Burim Latifi të sqarojnë publikisht arsyet e aktivizimit të garancisë bankare ndaj kompanisë, në një kohë kur asaj i është besuar një projekt shumë më i madh dhe me rëndësi strategjike.

Sipas reagimit, aktivizimi i garancisë bankare ngre shqetësime nëse kompania kroate do të jetë në gjendje ta realizojë në afat dhe pa probleme projektin e lidhjes energjetike me Shqipërinë.

Po ashtu shtrohet pyetja se çfarë mesazhi u dërgohet publikut dhe investitorëve kur operatori shtetëror i transmetimit penalizon një kompani për një projekt, ndërsa më pas i beson një kontratë të re me vlerë shumë më të lartë.

Më tej thuhet se drejtimi aktual i MEPSO-s nuk po ofron zgjidhje reale për projektin e interkoneksionit me Shqipërinë dhe se ekziston rreziku që ai të mbetet i parealizuar për shkak të vendimeve që, sipas reagimit, nuk bazohen në profesionalizëm.

Shqetësim shtesë, sipas reagimit, paraqet fakti se kontrata e re është nënshkruar me një konsorcium ku marrin pjesë edhe dy kompani, për të cilat pretendohet se kanë lidhje me struktura të afërta me Milorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiqin.

Gjithashtu rikujtohet se MEPSO më herët kishte ndërprerë kontratën me kompaninë “Energoinvest”, e cila më pas ka ngritur padi në gjykata ndërkombëtare. Sipas reagimit, ekziston mundësia që shteti të përballet me pagesa milionëshe në formë dëmshpërblimi.

Në fund kërkohet që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroria Publike dhe Ministria e Energjetikës të nisin një auditim të pavarur të vendimeve të MEPSO-s, të verifikojnë procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit dhe të publikojnë të gjitha informacionet relevante mbi aspektet financiare dhe lidhjet e mundshme të biznesit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume