Kryetari i LSDM-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në emisionin “Studio e Natës” në 4TV, deklaroi se është i gatshëm që rasti i spitalit modular të hetohet sërish. Ai e lidhi këtë me propozimin e partisë për legjislacion kundër korrupsionit dhe bashkëpunim me Prokurorinë Evropiane.
“Le të hetohet sërish, në bashkëpunim me Prokurorinë Evropiane, edhe rasti i spitalit modular”, tha Filipçe, duke shtuar se e di se si ka punuar dhe si i ka marrë vendimet, raportoi 4news.mk.
Deklarata e tij erdhi pas pyetjes nëse, nga këndvështrimi i sotëm, mendon se kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev, është dashur ta pranonte dorëheqjen e tij pas tragjedisë.
Filipçe nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse dorëheqja është dashur të pranohej. Në vend të kësaj, ai foli për arsyet e ndërtimit të spitaleve modulare dhe shprehu keqardhje për tragjedinë.
“Ndërtuam spitale modulare që njerëzit të mos vdisnin nëpër parkingje. Më vjen jashtëzakonisht keq për tragjedinë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar një vendimi të Prokurorisë, Filipçe pretendoi se në veprimet e tij nuk ishin konstatuar shkelje të detyrës apo veprime korruptive.
Megjithatë, ai tha se propozimi i LSDM-së për rishqyrtimin e rasteve duhet ta përfshijë edhe këtë çështje. Gjatë bisedës, ai nuk e saktësoi mekanizmin përmes të cilit do të realizohej përfshirja e paralajmëruar e Prokurorisë Evropiane.
Filipçe theksoi se është i gatshëm të vazhdojë të punojë për shtetin, duke pretenduar se gjatë gjithë karrierës së tij profesionale ka vepruar me ndershmëri dhe përkushtim.