Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar ritmin e avancimit të negociatave si mbresëlënës.

Në një deklaratë nga Brukseli, ajo theksoi se zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Europën dhe se vendet kandidate duhet të shfrytëzojnë momentin aktual për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Europën dhe sot kemi një momentum të vërtetë. Nëse shohim të gjitha negociatat që kemi në zhvillim, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj këtë vit, dhe ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Ky proces vjen në një moment vendimtar. Bota përreth nesh, siç thatë edhe ju, po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Europa, aq më mirë do të jemi në gjendje të përballojmë sfidat. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta kthejmë në përparim drejt anëtarësimit. Dhe kjo kërkon angazhim nga të dyja palët. Po shohim përparim inkurajues”, tha ajo.

Von der Leyen veçoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende që po shënojnë përparim në këtë proces, ndërsa nënvizoi rëndësinë e angazhimit të të dyja palëve për përmbushjen e objektivave.

“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet. Këta udhërrëfyes përcaktojnë qartë prioritetet dhe etapat kryesore për punën që na pret, dhe dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull”, tha Von der Leyen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume