Dubravko Macura, vëllai i pronarit të “Alta Banka” (e cila është në falimentim) – Davor Macura, si dhe Tatjana Bundalo, drejtoreshë e kompanisë “Alta Pay Group”, janë arrestuar. Të dyve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, raportojnë mediat serbe.

Ata u ndaluan si pjesë e hetimit kundër Davor Macurës, i cili dyshohet se ka tërhequr në mënyrë të paligjshme rreth 390 milionë euro nga kasaforta e Alta Banka.

I arrestuari Dubravko Macura do të merret në pyetje sonte, ose nesër në mëngjes në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar, pas së cilës prokuroria do të vendosë nëse do të kërkojë paraburgim. Marrja në pyetje e Tatjana Bundalos ende nuk është caktuar, dhe prokuroria po mbledh dokumentacion që lidhet me përfshirjen e saj të mundshme në këtë rast.

Të dy dyshohen për përfshirje në nxjerrjen e parave kesh nga kasaforta e Bankës Alta. Për shkak të kësaj, pronari i “Alta Banka”, Davor Macura, u arrestua më parë dhe ende është në paraburgim. Arrestimi u bë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi dhe tre ditë pasi Banka Kombëtare e Serbisë ia revokoi licencën e funksionimit “Alta Banka”.

Macura dyshohet se ka marrë më shumë se 45 miliardë dinarë, ose rreth 390 milionë euro, nga kasaforta e Bankës Alta. Bashkëpunëtorët e tij, drejtori i sektorit të thesarit dhe menaxhimit të parave të gatshme, si dhe bashkëpunëtori për operacionet e thesarit, akuzohen se e kanë ndihmuar në këtë drejtim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume