Para se gjithash, ne mbetemi parimorë, të përmbajtur dhe korrektë. Kërkojmë që rasti të zbardhet plotësisht dhe përgjegjësia të kërkohet vetëm pasi të identifikohen fajtorët. Nuk besojmë në akuza apriori dhe as në gjykime pa fakte, siç bën opozita, e cila për çdo ngjarje që prek shqiptarët nxiton të akuzojë VLEN-in, pa pritur rezultatet e hetimeve.
Ajo që shqetëson më shumë është humbja e ndjenjës së njerëzillëkut. Jo çdo tragjedi duhet parë përmes prizmit të politikës dhe interesave partiake. Është e pakuptueshme dhe thellësisht jo njerëzore që, në një qytet ku rreth 70% e banorëve përballen me pasojat e një helmimi masiv dhe qytetarët vërshojnë drejt spitaleve për të kërkuar ndihmë, dikush të organizojë kuvende partie, të mbajë fjalime për patriotizëm dhe në mbrëmje të festojë sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Po aq e papranueshme është të gjesh kohë për të përgëzuar dikë për arritje shkencore, por të mos thuash asnjë fjalë për qytetin nga vjen, i cili po përballet me një situatë të rëndë shëndetësore. Kur për çdo temë tjetër, me ose pa nevojë, dalin me deklarata e fjalime bombastike, heshtja përballë një fatkeqësie të tillë flet më shumë se çdo fjalim.
Kjo është ajo që qytetarët e shohin dhe e gjykojnë vetë: jo vetëm mungesën e përgjegjësisë politike, por mbi të gjitha mungesën e ndjeshmërisë njerëzore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume