“Babai e veshi si djalë për 10 vite që ta mbronte” Kjo është vajza afgane që sfidoi rregullat e talebanëve
“Babai im më veshi si djalë për 10 vjet për të më mbrojtur.” Kjo është historia e rrallë e Nilofar Ayoubi, aktivistes afgane për të drejtat e grave, e cila sot jeton si refugjate në Poloni, pasi u detyrua të largohej nga Afganistani pas rikthimit të talebanëve në pushtet. Nilofar lindi në vitin 1996 në qytetin e Kunduzit, në veri të Afganistanit, në periudhën kur vendi drejtohej nga regjimi i parë taleban. Ajo ishte vetëm 4 vjeçe kur përjetoi një ngjarje që do të ndryshonte rrjedhën e jetës së saj.
Sipas rrëfimit të saj për BBC, një burrë e goditi me shuplakë në rrugë sepse nuk mbante hixhab dhe më pas e kontrolloi për t’u siguruar nëse ishte vajzë. Babai i saj reagoi menjëherë. Ai i preu flokët, e veshi me rrobat e vëllezërve dhe mori vendimin që për vite me radhë ajo të rritej si djalë. Kjo praktikë njihet në Afganistan si “bacha posh”, një traditë ku disa familje i rrisin vajzat përkohësisht si djem, në mënyrë që ato të kenë më shumë liri lëvizjeje, të shkojnë në shkollë, të punojnë apo të ndihmojnë familjen.
Në rastin e Nilofarit, vendimi i babait të saj nuk erdhi nga dëshira për të pasur një djalë, por nga bindja se vajza e tij duhej të kishte të njëjtat mundësi si vëllezërit e saj. “Të ishe djalë do të thoshte të kishe fuqi. Edhe një djalë dyvjeçar kishte më shumë të drejta se nëna e tij”, kujton ajo. Për rreth dhjetë vite, nga mosha 4 deri në 14 vjeç, Nilofar jetoi si djalë. Ajo mund të shoqëronte të atin në treg, të udhëtonte me autobus, të ndiqte aktivitete sportive dhe të luante jashtë me fëmijët e tjerë, gjëra që për shumë vajza afgane ishin të pamundura.
Ajo tregon se fitoi shumë vetëbesim dhe se shumica e njerëzve nuk e kuptonin se ishte vajzë. Madje, edhe shoqja e saj më e afërt jetonte në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, kjo jetë e dyfishtë kishte edhe vështirësitë e saj. Askush nuk i kishte shpjeguar ndryshimet që pësonte trupi i një vajze gjatë pubertetit. Kur i erdhën menstruacionet për herë të parë në moshën 13-vjeçare, ajo nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte. Me ardhjen e pubertetit, familja u detyrua t’i jepte fund jetës së saj si djalë. Nëna e saj e përjetoi me dhimbje këtë moment, pasi e dinte se vajza e saj do të humbiste liritë që kishte fituar dhe do të përballej me kufizimet e zakonshme për gratë afgane.
Nilofar rrëfen se e kishte shumë të vështirë ta pranonte ndryshimin. “Qaja natën dhe lutesha që të mund të ndryshoja gjininë time”, ka treguar ajo. Por përvoja e saj e formoi dhe e shtyu drejt aktivizmit. Gjatë studimeve ajo krijoi grupe ndërgjegjësimi për vajzat dhe më vonë shkoi në Indi për të studiuar, gjithmonë me mbështetjen e babait të saj, i cili i kërkoi të vendoste vetë për të ardhmen dhe martesën e saj. Më vonë familja u vendos në Kabul, ku ngriti një biznes të suksesshëm mobiljesh që punësonte qindra persona, përfshirë shumë gra.
Në vitin 2021, kur talebanët morën sërish kontrollin e Afganistanit, Nilofar dhe familja e saj u detyruan të largoheshin nga vendi. Me ndihmën e gazetarëve polakë, ata u përfshinë në një operacion evakuimi dhe u larguan nga Kabuli vetëm me dy çanta shpine. Sot ajo jeton në Poloni dhe është një zë i njohur ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave afgane. Duke kujtuar vitet kur jetoi si djalë, Nilofar thotë se ajo periudhë ishte njëkohësisht dhuratë dhe dhimbje. “Ishte një bekim dhe një mallkim. Mallkim sepse ndihesha sikur nuk i përkisja askund, por bekim sepse munda të shihja të dyja anët e shoqërisë. Kjo më bëri gruan që jam sot.”