BDI fton për protestë kombëtare në Tetovë: “Mos e lë pa dalë! Historia nuk abrogohet! Edhe rrugët flasin shqip”
BDI ka bërë thirrje për pjesëmarrje në një protestë mbarëkombëtare kundër vendimit të fundit për rikthimin e emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë, përfshirë edhe emrin “Marshall Tito”, duke e cilësuar atë si antikushtetues dhe të kundërligjshëm.
Në reagimin e saj, partia thekson se protesta nuk është vetëm iniciativë e BDI-së, por një reagim qytetar kundër, siç e quan, një vendimi absurd që, pas 19 vitesh, shfuqizon një vendim të miratuar me konsensus ndërmjet bashkësive etnike dhe që, sipas saj, ka prodhuar pasoja juridike dhe faktike për gati dy dekada.
BDI akuzon se Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin pa e vërtetuar plotësisht gjendjen faktike dhe pa e shqyrtuar dokumentacionin e plotë të Komunës së Tetovës nga periudha kur ishte miratuar vendimi për emërtimet e rrugëve.
“Kjo protestë nuk është vetëm e BDI-së. Kjo është protestë e çdo qytetari që nuk pajtohet me vendime absurde, të cilat pas 19 vitesh shfuqizojnë një vendim të miratuar me konsensus ndërmjet bashkësive etnike dhe që ka prodhuar pasoja juridike e faktike për gati dy dekada”, thuhet në thirrjen e partisë.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të shtunën, më 11 korrik 2026, me fillim në ora 20:00. Marshi protestues do të nisë nga Sheshi Iliria dhe do të përfundojë para objektit të Komunës së Tetovës.
BDI u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës me moton: “Mos e lë pa dalë! Historia nuk abrogohet! Edhe rrugët flasin shqip”