Edhe disa ditë pas skandalit ku personi Albi Qamili, zëvendëskryetari ilegal i Komunës së Tetovës, shau një fëmijë dyvjeçar dhe kërcënoi me jetë gazetarin Rami Mislimi, vazhdon heshtja.
Asnjë prononcim.
Asnjë kërkimfalje publike.
Asnjë distancim nga Bilall Kasami.
Por kjo heshtje nuk është neutralitet.
Në psikologjinë shoqërore, kur pushteti hesht përballë një sjelljeje të turpshme, ai nuk po shmang konfliktin. Ai po e normalizon sjelljen.
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur Bilall Kasami jo vetëm që nuk distancohet, por vazhdon ta shoqërojë personin Albi Qamilin në ngjarje kulturore, ta vendosë pranë vetes dhe ta paraqesë para opinionit sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Kjo është pikërisht mënyra se si një shoqëri fillon ta humbasë ndjeshmërinë morale.
Fillimisht tolerohet vulgariteti.
Pastaj arsyetohet kërcënimi.
Në fund, dhuna verbale promovohet si sjellje normale e pushtetit.
Kur një figurë deri diku autoritare qëndron pranë dhunuesit, njerëzve u dërgohet mesazhi se sjellja është e pranueshme.
Kjo është mungesë përgjegjësie morale. Refuzim për ta pranuar të keqen, sepse pranimi i saj do të kërkonte guxim, distancim dhe përgjegjësi.
Këtu nuk kemi më vetëm problem me një individ që humbi kontrollin. Kemi një patologji të pushtetit që mbron vulgaritetin, një kulturë politike që e shpërblen arrogancën dhe një mjedis institucional që përpiqet ta shndërrojë turpin në normalitet.
Kur një fëmijë shahet, një gazetar kërcënohet dhe pushteti vazhdon të buzëqeshë në ngjarje kulturore, problemi nuk është më vetëm ai që kërcënoi.
Problemi është edhe ai që heshti.
Edhe ai që e shoqëroi.
Edhe ai që e mbrojti me praninë e tij.
Kjo nuk është kulturë.
Kjo është kultura e pandëshkueshmërisë.
Kjo nuk është udhëheqje.
Kjo është Tetova e paturpësisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume