Delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga: Monika Zajkova, kryetare e Delegacionit në
Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Nikolla Micevski dhe Boban Karapejovski, anëtarë
të Delegacionit, po merr pjesë në Sesionin e 33-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të
OSBE-së, i cili do të mbahet nga 4 deri më 8 korrik 2026 në Hagë, Holandë.

Tema kryesore për diskutim në Sesionin Vjetor, në të cilin do të marrin pjesë më shumë se
250 parlamentarë nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, është: "E drejta ndërkombëtare
dhe parimet e përbashkëta: Bazat për sigurinë dhe bashkëpunimin në rajonin e OSBE-së".
Ceremonia e hapjes së Sesionit Vjetor u drejtua nga përfaqësues të lartë të vendit pritës,
Holandës: Kryetarja e Senatit, Mei Li Vos, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Van
Kampen, dhe kryeministri, Rob Jeten, si dhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-
së, Pere Zhoan Pons, dhe kryesuesi me OSBE-në, Ignacio Kasis. Presidenti i Ukrainës,
Volodimir Zelenski, iu drejtua deputetëve me një mesazh video.
Të tre komisionet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së mbajtën mbledhje për të
diskutuar raportet dhe rezolutat e propozuara brenda kompetencës së tyre.
Në fjalimin e saj para Komisionit të Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe të Sigurisë,
kryetarja e Delegacionit, Monika Zajkova, përshëndeti përmbajtjen e raportit dhe të
propozim-rezolutës, duke theksuar se respekti për të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin
dhe integritetin territorial janë themelet e sigurisë dhe stabilitetit evropian. Ajo dënoi
agresionin rus kundër Ukrainës, duke theksuar se paqja e drejtë dhe e qëndrueshme mund
të arrihet vetëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me respekt të plotë për
sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Zajkova trajtoi gjithashtu sfidat bashkëkohore të sigurisë, siç janë kërcënimet hibride,
sulmet kibernetike, dezinformatat dhe keqpërdorimi i teknologjive të reja, duke paraqitur

përvojat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në forcimin e rezistencës përmes avancimit
të sigurisë kibernetike, mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe bashkëpunimit midis
institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ajo theksoi se demokracia,
sundimi i ligjit dhe institucionet e forta janë të lidhura pazgjidhshmërisht me sigurinë, dhe
reformat në këto fusha janë investim në stabilitetin rajonal.
Zajkova vlerësoi se OSBE-ja mbetet platformë e domosdoshme për dialog në kushte të
tensioneve të rritura gjeopolitike dhe kujtoi kontributin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese
e Organizatës në vitin 2023. Në të njëjtën kohë, ajo riafirmoi angazhimin e fortë të vendit
për të respektuar Parimet e Helsinkit dhe konceptin gjithëpërfshirës të sigurisë të OSBE-së.
Deputeti Nikolla Micevski mori pjesë në debatin e Komisionit të Përgjithshëm për Çështje
Ekonomike, Shkencë, Teknologji dhe Mjedis Jetësor, ku theksoi rëndësinë e respektimit të
së drejtës ndërkombëtare, qëndrueshmërisë ekonomike, zhvillimit të qëndrueshëm dhe
inovacionit teknologjik si shtylla të ndërlidhura të sigurisë gjithëpërfshirëse në rajonin e
OSBE-së.
Micevski theksoi se si ekonomi e vogël dhe e hapur, vendi është fuqimisht i përkushtuar
ndaj bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të lidhjes së transportit dhe energjisë dhe tranzicionit
të gjelbër, duke iu referuar investimeve në burimet e energjisë së rinovueshme dhe
angazhimit për të braktisur gradualisht qymyrin. Duke iu referuar transformimit digjital, ai
theksoi se zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja duhet të shoqërohet me

mekanizma të përshtatshëm për transparencë, mbikëqyrje demokratike dhe mbrojtje të të
drejtave të njeriut, si dhe masa për të luftuar dezinformatat.
Ai gjithashtu theksoi se lufta kundër korrupsionit, forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe
qeverisjes së mirë janë parakushte kryesore për zhvillimin ekonomik, adresimin e sfidave
demografike dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet. Mickovski shprehu
mbështetje për rezolutën e propozuar, duke vlerësuar se përmes parimeve të përbashkëta
dhe veprimit kolektiv mund të ndërtohet një zonë e OSBE-së më e sigurt, më e
qëndrueshme dhe më e begatë.
Deputeti Boban Karapejovski mori pjesë në debatin e Komisionit të Përgjithshëm për
Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare. Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes
së sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe të drejtave të njeriut si parakusht për
siguri të qëndrueshme në rajonin e OSBE-së. Ai shprehu shqetësim serioz për shkeljen e
së drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe në veçanti deportimin me forcë të fëmijëve,
duke mbështetur njëkohësisht mekanizmat ndërkombëtarë për vendosjen e përgjegjësisë.
Karapejovski theksoi nevojën për mbrojtje më të madhe të kategorive të cenueshme të
qytetarëve dhe për respektim të vazhdueshëm të parimeve të barazisë dhe
mosdiskriminimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse të OSBE-së. Duke iu referuar përvojës
së Maqedonisë së Veriut, kujtoi rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe rolin e
OSBE-së në ruajtjen e stabilitetit ndëretnik, duke theksuar se Misioni i OSBE-së në Shkup


vazhdon të jetë partner i rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike dhe
sundimin e ligjit. Në fund, Karapejovski riafirmoi mbështetjen e fortë të vendit për parimet e
Aktit Final të Helsinkit.
Në Sesionin e 33-të Vjetor, deputetët anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së do
të zgjedhin katër nënkryetarë, si dhe anëtarë të byrove të tre komisioneve të Asamblesë
Parlamentare, me votim të fshehtë.
Në fund të Sesionit Vjetor, Asambleja Parlamentare e OSBE-së pritet të miratojë "Deklaratë
të Hagës", me rekomandime për qeveritë dhe parlamentet e vendeve pjesëmarrëse mbi një
gamë të gjerë çështjesh në fushat e politikës, ekonomisë, mjedisit jetësor dhe të drejtave të
njeriut.
Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende në
Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut. Asambleja ofron forum për diplomacinë
parlamentare, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të
përmbushur angazhimet e OSBE-së në çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të
drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume